Një aksident i rëndë rrugor i shkaktuar nga drejtimi i mjetit në gjendje të dehur ka ndodhur në Gjirokastër, duke lënë të plagosur disa persona dhe duke përfshirë në ngjarje një punonjës të administratës vendore.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin V. B., 55 vjeç, banues në Gjirokastër, i cili ushtronte detyrën si punonjës në Sektorin e Mirëmbajtjes pranë Drejtorisë së Shërbimeve Komunitare në Bashkinë Gjirokastër. Sipas të dhënave zyrtare, ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në lagjen Varosh, ku 55-vjeçari, duke drejtuar një automjet tip kamion në pronësi të bashkisë dhe në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me katër automjete të tjera.
Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar lehtë tre persona, të cilët kanë marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, dëmet materiale në automjetet e përfshira janë të konsiderueshme.
Policia bëri të ditur se pas verifikimeve dhe testit të alkoolit, drejtuesi i kamionit rezultoi në shkelje të ligjit, çka çoi në arrestimin e tij të menjëhershëm.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)