Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Administrative për të rrëzuar masat disiplinore të marra nga Kuvendi ndaj gjashtë deputetëve të opozitës.
Në një videomesazh në rrjetet sociale, Balla theksoi se dhuna dhe bllokimi i punimeve parlamentare nuk mund të justifikohen, ndërsa mbrojti vendimet e marra nga Kuvendi si në përputhje me rregulloren dhe standardet demokratike.
“Askush nuk është mbi rregullat, pavarësisht përkatësisë politike”, u shpreh ai.
Duke komentuar vendimin e gjykatës, Balla ngriti dyshime mbi juridiksionin e saj për të shqyrtuar çështje të tilla, duke e cilësuar vendimmarrjen si të gabuar në thelb. “Thelbi i çështjes është një lajthitje në objekt për këdo që mund ta ketë dhënë këtë vendim”, deklaroi ai.
Ai ironizoi gjithashtu shpejtësinë e shqyrtimit të çështjes. “Uroj të jepen vendimet kaq shpejt edhe për ankesat e qytetarëve të thjeshtë, për halle të vërteta. Sepse të mbarosh një shkallë gjyqësori në Shqipëri për kaq pak ditë qenka një rekord”, tha Balla.
Sipas Ballës, praktika ligjore në Shqipëri dhe në vende të tjera europiane përcakton qartë se masat disiplinore ndaj deputetëve janë kompetencë e vetë Parlamentit dhe nuk mund të shqyrtohen nga gjykatat. Ai iu referua edhe praktikës së Gjykatës së Lartë, e cila sipas tij ka konsoliduar qëndrimin për ndarjen e pushteteve në raste të ngjashme.
“Dihet botërisht se gjykatat nuk kanë juridiksion të gjykojnë këto lloj masash disiplinore, sepse këto janë akte të parlamentit dhe nuk mund t’i nënshtrohen vlerësimit nga pushteti gjyqësor”, theksoi ai.
Balla shtoi se në këto raste zbatohet parimi i vetërregullimit parlamentar, ku organet e Kuvendit janë të vetmet që gjykojnë çështje të brendshme disiplinore.
“Përjashtimet duhet të parashikohen shprehimisht në Kushtetutë apo në një ligj të posaçëm. Ndryshe nuk i hyn dot brenda gardhit. Ndoshta gjyqtari apo gjyqtarja nuk e di se Gjykata e Lartë e Republikës sonë e ka konsoliduar praktikën në një rast të mëparshëm duke sanksionuar mos kalimin gardhin e gjyqësorit tek fusha e legjislativit për këto masat disiplinore”, u shpreh ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)