Takohen Nufi e Maqedonci: Kosova dhe Shqipëria do të prodhojnë armë e municione së bashku

Kosova dhe Shqipëria po intensifikojnë përpjekjet për të thelluar bashkëpunimin në fushën e industrisë së mbrojtjes, duke përfshirë bashkëprodhimin dhe prokurimet e përbashkëta të pajisjeve ushtarake.

Burimi: REL

17.04.2026. 13:57

Takohen Nufi e Maqedonci: Kosova dhe Shqipëria do të prodhojnë armë e municione së bashku

Kosova dhe Shqipëria po intensifikojnë përpjekjet për të thelluar bashkëpunimin në fushën e industrisë së mbrojtjes, duke përfshirë bashkëprodhimin dhe prokurimet e përbashkëta të pajisjeve ushtarake. Kjo u bë e ditur pas takimit në Prishtinë mes ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dhe homologut të tij shqiptar, Ermal Nufi.

Maqedonci theksoi se Kosova tashmë ka ndërmarrë hapa konkretë në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes. Ai përmendi marrëveshjen e arritur në dhjetor 2024 me kompaninë shtetërore turke MKE për ndërtimin e një fabrike për prodhimin e municioneve në Jahoc të Gjakovës. Sipas tij, prodhimi i parë pritet të nisë në fund të vitit 2026, ndërsa autoritetet janë duke koordinuar edhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë për projekte të ngjashme.

Ai sqaroi se bashkëpunimi me Shqipërinë do të zhvillohet në dy drejtime kryesore. Së pari, përmes bashkëprodhimit, ku do të krijohen grupe të përbashkëta pune për të identifikuar sektorët konkretë ku mund të zhvillohen kapacitete të përbashkëta industriale. Së dyti, përmes prokurimeve të përbashkëta të sistemeve ushtarake, me qëllim rritjen e ndërveprueshmërisë dhe sigurimin e pajisjeve cilësore për të dy vendet.

Nga ana tjetër, Nufi e cilësoi këtë bashkëpunim si jetik për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe garantimin e sigurisë kombëtare. Ai theksoi se projektet industriale që po zhvillohen në të dy vendet nuk kanë vetëm rëndësi teknologjike dhe ekonomike, por edhe simbolike, si dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë mes dy shteteve.

Paralelisht, Shqipëria ka ndërmarrë hapa konkretë për zhvillimin e industrisë së saj ushtarake. Në fillim të muajit prill, autoritetet shqiptare autorizuan marrëveshje për prodhimin e dronëve luftarakë, si dhe për ndërtimin dhe riparimin e mjeteve motorike lundruese ushtarake dhe civile.

Ky bashkëpunim në fushën e mbrojtjes është i paraparë edhe në deklaratën e përbashkët të nënshkruar vitin e kaluar nga Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, e cila synon forcimin e bashkëpunimit rajonal në siguri.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)