Një peshkatar në Indonezi ka bërë një zbulim të pazakontë, pasi në vend të peshkut, në rrjetën e tij ka përfunduar një dron nëndetar i dyshuar si me origjinë kineze, në një nga zonat më të ndjeshme ushtarake të rajonit Indo-Paqësor.
Ngjarja ka ndodhur pranë ngushticës së Lombokut, një korridor detar strategjik mes ishujve Bali dhe Lombok. Sipas mediave ndërkombëtare, peshkatari ka vënë re një objekt cilindrik gjatë punës në det dhe, pasi dyshoi për natyrën e tij, e transportoi në breg dhe njoftoi autoritetet.
Pajisja e gjetur ka përmasa rreth 3.7 metra e gjatë dhe 0.7 metra në diametër, ndërsa në të janë identifikuar shenja të korporatës kineze “China Shipbuilding Industry Corporation” si dhe mbishkrime në gjuhën kineze.
Pas ekzaminimit, autoritetet lokale kanë përjashtuar praninë e eksplozivëve apo materialeve radioaktive, duke theksuar se objekti nuk përbën rrezik të menjëhershëm. Dyshohet se droni përdoret për vëzhgim nënujor dhe mbledhje të dhënash strategjike, si përbërja e shtratit të detit, rrymat dhe kushtet akustike.
Ngushtica e Lombokut konsiderohet një nga rrugët e pakta që lejojnë kalimin e nëndetëseve në thellësi të mëdha, duke e kthyer atë në një pikë kyçe për balancën ushtarake mes Oqeanit Paqësor dhe atij Indian. Për këtë arsye, zona monitorohet vazhdimisht nga vende si Shtetet e Bashkuara dhe Australia.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)