Pas më shumë se dy dekadash në arrati, autoritetet greke kanë arrestuar shtetasin shqiptar Kostandin Nishku, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një fëmije 9-vjeçar në vitin 1997.
Nishku, 59 vjeç, i lindur në Gramsh, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 1998 dhe fshihej në Greqi duke përdorur identitete të falsifikuara.
Sipas Policisë së Shtetit, arrestimi u bë në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës, Interpol Athinës, autoriteteve greke dhe strukturave shqiptare të identifikimit facial. Identiteti i tij u zbulua përmes krahasimit të fotografive të vitit 1997 me ato të një pasaporte false të siguruar në vitin 2013.
Ngjarja e rëndë ndodhi në mars të vitit 1997. Sipas hetimeve, Kostandin Nishku dhe një bashkëpunëtor i tij shkuan të armatosur në banesën e shtetasit Kujtim Bregu, duke kërkuar vëllanë e tij, Veli Bregu, i cili ishte arratisur nga burgu ku vuante dënim për vrasjen e vëllait të Nishkut. Pasi familjarët nuk dhanë informacion, Nishku qëlloi për vdekje djalin 9-vjeçar të familjes, një akt i kryer për motive gjakmarrjeje.
Fëmija u dërgua me urgjencë në spital, por nuk arriti të mbijetojë. Ngjarja tronditi rëndë opinionin publik dhe u konsiderua një nga krimet më të rënda ndaj të miturve në Shqipëri.
Aktualisht, Kostandin Nishku ndodhet në paraburgim në Greqi dhe pritet përfundimi i procedurave ligjore për ekstradimin e tij në Shqipëri, ku do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm.
Policia shqiptare e cilëson arrestimin si një sukses të rëndësishëm të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe një mesazh se krimet e rënda nuk mbeten pa ndëshkim, pavarësisht kalimit të viteve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)