Presidentja Osmani uron Albulena Haxhiun për detyrën e re: Duhet bashkëpunim ndërinstitucional

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar për detyrën e re kryetaren e re të Kuvendit, Albulena Haxhiu dhe 5 nënkryetarët.

11.02.2026. 19:56

Presidentja Osmani uron Albulena Haxhiun për detyrën e re: Duhet bashkëpunim ndërinstitucional

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përshëndetur Kryetaren e sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu dhe nënkryetarët e rinj për detyrën e re dhe ritheksoi nevojën që ka vendi për bashkëpunim ndërinstitucional.

Osmani uroi që ky mandat i ri të jetë i fokusuar në shërbim të qytetarëve.

“Uroj znj. Albulena Haxhiu për zgjedhjen e saj Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe nënkryetarët e Kuvendit për përgjegjësinë që u është besuar nga përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve tanë.

Kuvendi i Republikës është themeli i demokracisë sonë parlamentare dhe institucioni ku materializohet vullneti i qytetarëve. Besoj fuqishëm se udhëheqja e re e Kuvendit do ta ushtrojë këtë mandat me përgjegjësi demokratike në respektim të Kushtetutës dhe me përkushtim ndaj interesit të Republikës së Kosovës.

Në këtë moment të rëndësishëm institucional, ritheksoj nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional e konstruktiv dhe funksionim të plotë të Kuvendit, në shërbim të forcimit të shtetit të së drejtës, stabilitetit demokratik, mbrojtjes së vlerave tona shtetërore e historike dhe avancimit të agjendës sonë euroatlantike.

Uroj që ky mandat të shquhet për vendime të rëndësishme shtetërore, kulturë të lartë demokratike dhe angazhim të palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës sonë!

Punë të mbarë dhe suksese në detyrën tuaj të lartë shtetërore”, shkruhet në reagimin e Osmanit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)