Astrit Avdyli, i njohur edhe me mbiemrat Balliu e Sulejmani, është dënuar me 12 vite burg nga Gjykata e Posaçme për përfshirjen në “Dosjen 339”, e njohur si operacioni “Volvo 4”, lidhur me laboratorin e heroinës të zbuluar në Has në vitin 2018.
Ai u shpall fajtor për trafikim narkotikësh në bashkëpunim dhe në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grup kriminal si dhe mbajtje e prodhim pa leje të armëve.
Megjithëse për këto vepra u dhanë dënime të veçanta prej 12, 3 dhe 5 vitesh, në përfundim gjykata vendosi dënim të vetëm prej 12 vitesh burg, që do të kryhet në një institucion të sigurisë së lartë.
Çështja lidhet me një laborator heroine në fshatin Brenog të Hasit, ku sipas hetimeve u përpunuan sasi droge të futura nga Kosova dhe që planifikohej të trafikoheshin drejt Durrësit e më pas në Itali.
Për këtë dosje janë dënuar edhe 17 persona të tjerë me një total prej 125 vitesh burg. Avdyli u arrestua më 29 qershor 2024, ndërkohë që ishte dënuar më parë nga GJKKO me 12 vite burg, por vendimi u prish nga Apeli dhe u rikthye për rigjykim.
Arrestimi i tij u bë me urdhër të SPAK pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin Sky ECC.
Ndërkohë, ndaj tij vijojnë hetime edhe për çështje të tjera kriminale, ku dyshohet për përfshirje në grup të strukturuar dhe për sigurim kushtesh për kryerje vrasjeje, bazuar në komunikime me persona të lidhur me grupe kriminale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)