Komisioni Parlamentar për Reformën Territoriale iu rikthye punës, pas disa javësh bojkot nga ana e opozitës. Rikthimi në tryezë vjen vetëm një ditë pasi deputetë të opozitës, morën pjesë në protestën para Kryeministrisë dhe Kuvendit, ku pati përplasje dhe u hodhën fishekzjarrë e molotov në drejtim të institucioneve dhe Policisë.
Ndryshe nga retorika e ashpër e një dite më parë në shesh, opozita u ul sot në tryezë përballë mazhorancës socialiste, duke theksuar megjithatë se marrëdhëniet politike mbeten të tensionuara.
“Mos bëjmë rolin e atij që mbyll sytë dhe veshët. Marrëdhëniet në Kuvend mes opozitës dhe mazhorancës nuk janë në normalitet, por janë të tensionuara për shkak të sjelljes së suaj. Nëse nuk ka produkt konsensual, atëherë është mungesë e gatishmërisë për të pranuar variantet”, deklaroi Boçi.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i mazhorancës, Mazniku, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në funksion të integrimit europian. Sipas tij, vendi ka një “dritare specifike” në periudhën 2027-2029, kur bashkitë duhet të jenë të afta të përthithin fonde dhe projekte nga BE.
Megjithatë, mbledhja e sotme nuk prodhoi vendimmarrje konkrete dhe u vendos që takimi i radhës të zhvillohet ditën e hënë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)