Vjosa Osmani thërret seancën konstituive të Kuvendit, çfarë pritet?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shpallur seancën konstituive të parlamentit të ri, i dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Burimi: REL

10.02.2026. 16:38

Vjosa Osmani thërret seancën konstituive të Kuvendit, çfarë pritet?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thirrur për të mërkurën në orën 12:00, seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Vendimi është marrë pas konsultimeve me shumicën e partive parlamentare dhe duke u bazuar në urgjencën për krijimin e institucioneve të reja, miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

Sipas rezultateve të certifikuara, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese me 51.10 për qind të votave, duke siguruar 57 vende në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 22 vende, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6.

Nga komuniteti serb, Lista Serbe ka marrë nëntë vende, ndërsa një mandat i ka takuar Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Seanca konstituive do të zhvillohet sipas rregullores, e cila parasheh formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe pesë nënkryetarëve. Për zgjedhjen e tyre kërkohen së paku 61 vota.

Pas konstituimit të Kuvendit, hapet rruga për formimin e Qeverisë së re. Presidentja pritet të mandatojë për kryeministër kandidatin e partisë fituese, LVV-së, i cili do të ketë 15 ditë kohë për të siguruar mbështetjen parlamentare.

Ndërkohë, vendi përballet edhe me afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, që duhet të përfundojë më së largu deri më 4 mars, për të shmangur shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)