Deputetët socialist të qarkut të Tiranës kanë marrë “në patronazh” pallatin e djegur në zonën e njohur si ‘Farmacia 10’, në kryeqytet, duke i siguruar banorët se do të dëmshpërblehen për dëmet, ndërsa do të përfitojnë edhe bonus qeraje për sa kohë që kompleksi 12 katësh do të jetë në proces rikonstruktimi.
Ditën e djeshme zv/kryeministrja Albana Koçiu u takua me banorët e pallatit të djegur dhe u garantoi atyre mbështetje të plotë deri në rikthimin e banesave në gjendjen e mëparshme.
Koçiu theksoi se kompania e ndërtimit do të marrë përsipër rikonstruksionin e apartamenteve, duke i kthyer ato në standardin për të cilin banorët kanë paguar, ndërsa sqaroi se Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion instrumente mbështetëse si bonus qiraje dhe mundësi akomodimi për familjet e prekura.
Pas ndalesës së Koçiut, edhe drejtuesja politike e PS për Tiranës, Ogerta Manastirliu, e shoqëruar nga deputeti Eduard Shalsi dhe një grup zyrtarësh socialist të njësisë përkatëse administrative, kanë takuar familjet që pësuan dëme në apartamente pas zjarrit.
Manastirliu garantoi banorët se institucionet janë të angazhuara për t’i dhënë zgjidhje efikase dhe sa më të shpejtë situatës ku ata ndodhen.
“Kemi gjithë angazhimin politik, institucional dhe njerëzor mbi të gjitha, për t’ju qëndruar pranë. Bashkia e Tiranës ka filluar menjëherë punën dhe shumë shpejt do të mblidhet Këshilli Bashkiak për të miratuar bonuset e qirasë, pa asnjë vonesë në procedurat administrative”, u shpreh Manastirliu.
Manastirliu siguroi gjithashtu banorët se procesi i verifikimit dhe vlerësimit të dëmeve po vijon me intensitet dhe prioritet mbetet siguria dhe rikthimi në normalitet i çdo familje të prekur.
“Vlerësimi i dëmeve po kryhet në mënyrë të detajuar nga institucionet dhe grupet e ekspertizës. Dëmshpërblimi, bazuar në aktet nënligjore, do të finalizohet në një kohë sa më të shpejtë. Do të bëhen vlerësime rast pas rasti”, u shpreh ajo.
Një video nga takimi i Manastriliut me banorët e pallatit të ndërtuar nga kompania “Arlis” e ka publikuar në rrjetet sociale edhe kryeministri Edi Rama, duke këmbëngulur në zotimin e tij, se banorët që kanë pësuar dëme në banesat e tyre do të përfitojnë bonus qiraje deri në rikthimin e plotë në apartamente.
“Po, banorët e prekur nga zjarri në banesat e tyre do të mbështeten me bonuse qiraje, deri kur të rikthehen së shpejti në pallatin e riparuar 100% nga ndërtuesi”, shkruan Rama krahas videos.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)