Njëmbëdhjetë protestues janë janë arrestuar pas protestës së shtatë kombëtare të Partisë Demokratike. Ndalimet u bënë nga policia pasi u sulmua me molotovë godina e Kryeministrisë, në përfundim të fjalës së kreut të PD, Sali Berisha.
Të arrestuarit janë pjesë e grupit drejt të cilit forcat e rendit mësynë sapo u lëshuan mjetet e para piroteknike në drejtim të godinës së qeverisë, një ndërhyrje e cilësuar si strategji e re nga drejtuesi i sapoemëruar i policisë së shtetit, Skënder Hita, e cila frenoi edhe përshkallëzimin e protestës.
Të arrestuarit, gjashtë prej të cilëve sipas policisë u kapën në flagrancë me molotov janë: Klemend Çuçka, Bujar Tusha, Henri Shapllo, Mirvet Toçilla, Igball Domi, Semi Bici, Bardhyl Ndou, Gentjan Tuga, Edison Shyti, Sokol Bajraktari dhe Ernest Kapo.
Ata akuzohen për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Po ashtu ka nisur procedim penal për deputetin demokrat Klevis Balliu, i cilia akuzohet për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, si dhe për aktivistin demokrat Aulon Kalaja, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, edhe pse ky i fundit mbeti i lënduar gjatë tubimit.
"Gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike, më datë 17.04.2026, disa prej pjesëmarrësve janë kapur në flagrancë duke hedhur lëndë djegëse (molotovë) dhe lëndë piroteknike në drejtim të godinës së Kryeministrisë, si dhe kanë kundërshtuar dhe goditur me molotovë dhe lëndë piroteknike punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Si pasojë, 5 punonjës policie mbetën të dëmtuar gjatë tubimit, të cilët morën mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasit: A. T., 20 vjeç; A. C., 51 vjeç; A. R., 25 vjeç; N. M., 30 vjeç; R. N., 25 vjeç; Nj. S., 25 vjeç; E. N., 27 vjeç; D. K., 30 vjeç; E. B., 39 vjeç; A. Z., 20 vjeç; A. P., 20 vjeç dhe 2 shtetas të mitur, 16 vjeç dhe 17 vjeç, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike'", sqaron policia.
Policia këtë herë e shpërndau turmën në kohë rekord, duke kapur në befasi protestuesit, ndërsa u përdorur ujë, gazlotsjellës dhe spraj. Si pasojë e konfrontimit të hershëm me policinë mbetën të plagosur 4 protestues, ndërsa nga radhët e policisë janë lënduar 5 efektivë, të cilët herët në mëngjes u vizituan edhe nga Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari në ambientet e Spitalit të Traumës dhe QSUT-së.
Protesta e kombëtare e së premtes mbrëma u shoqërua me tensione të forta dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, duke lënë pas disa të lënduar dhe të shoqëruar nga policia.
Tubimi nisi rreth orës 19:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim me tone të forta kundër qeverisë. Ai e cilësoi opozitën si alternativën e vetme për vendin. “Sot ne mblidhemi këtu jo vetëm si një alternativë e shkëlqyer politike, sot ne mblidhemi këtu në këtë protestë madhështore si shpresa e vetme për shpëtimin e Shqipërisë nga narkoshteti i Edi Ramës, i bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.”
Menjëherë pas përfundimit të fjalës së tij, situata u përshkallëzua, pasi drejt Kryeministrisë u hodhën molotov dhe fishekzjarrë. Policia ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa disa protestues u shoqëruan në komisariat.
Si pasojë e përplasjeve, disa deputetë dhe përfaqësues të opozitës pësuan probleme shëndetësore nga gazi lotsjellës, ndërsa ish-kandidati për deputet, Aulon Kalaja, u transportua me ambulancë pasi mbeti i lënduar.
Pas shpërndarjes së protestës, një grup protestuesish tentoi të marshonte drejt Kuvendit, por u ndal nga një kordon i fortë policor pranë Xhamisë së Namazgjasë. Forcat e rendit bllokuan rrugën dhe përdorën sërish mjete për shpërndarjen e turmës.
Në përfundim, Berisha reagoi nga selia blu duke akuzuar policinë për dhunë dhe duke paralajmëruar vijimin e protestave, ndërsa theksoi se “kryengritja paqësore nuk ndalet”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)