Vetëm 24 orë hapur, Irani mbyll përsëri Ngushticën e Hormuzit, shkak bllokada amerikane

Komanda e përbashkët ushtarake e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike lëshoi një deklaratë duke pretenduar se kontrolli i Ngushticës së Hormuzit tani është "kthyer në statusin e tij të mëparshëm" dhe shkak për këtë sipas Teheranit është bërë bllokada amerikane ndaj porteve iraniane.

18.04.2026. 11:21

Vetëm 24 orë hapur, Irani mbyll përsëri Ngushticën e Hormuzit, shkak bllokada amerikane

Ka zgjatur vetëm 24 orë lëvizja e lirë e anijeve në Hormuz, pasi Irani ka marrë vendimin për ta bërë sërish të pakalueshme ngushticën jetike, pavarësisht se kishte komunikuar hapjen e saj pas arritjes së armëpushimit të kërkuar mes Izraelit dhe Libanit.

Komanda e përbashkët ushtarake e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike lëshoi një deklaratë duke pretenduar se kontrolli i  Ngushticës së Hormuzit tani është "kthyer në statusin e tij të mëparshëm" dhe shkak për këtë sipas Teheranit është bërë bllokada e vazhdueshme amerikane ndaj porteve iraniane.

Në një deklaratë të bërë publike nga transmetuesi iranian IRIB, komanda e IRGC tha se Shtetet e Bashkuara "vazhduan aktet e tyre të piraterisë dhe vjedhjes detare nën maskën e një të ashtuquajture bllokadë".

“Për këtë arsye, kontrolli i Ngushticës së Hormuzit është rikthyer në statusin e tij të mëparshëm dhe kjo rrugë strategjike detare tani është nën menaxhim dhe kontroll të rreptë nga forcat e armatosura”, thuhet në deklaratën e Gardës Revolucionare.

Më tej nënvizohet se asnjë anije nuk do të kalojë Hormuzin për sa kohë që SHBA-të imponojnë bllokadën e tyre.

"Derisa Shtetet e Bashkuara të rivendosin lirinë e plotë të lundrimit për anijet që udhëtojnë nga Irani në destinacionet e tyre dhe anasjelltas, situata në Ngushticën e Hormuzit do të mbetet nën kontroll të rreptë dhe në gjendjen e saj të mëparshme", tha administrata.

Më herët gjatë së shtunës, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, tha se mund t’i japë fund armëpushimit me Iranin, nëse deri të mërkurën nuk arrihet një marrëveshje afatgjatë për t’i dhënë fund luftës.

“Mund të mos e zgjas, por bllokada (mbi portet iraniane) do të mbetet”, u tha Trump gazetarëve nga bordi i avionit presidencial, Air Force One, ndërsa kthehej në Uashington nga Phoenix.

"Pra, ka një bllokadë dhe për fat të keq na duhet të fillojmë të hedhim bomba përsëri”, nënvizoi ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)