Papa Leoni ka deklaruar se nuk ka asnjë interes të përfshihet në debat me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, lidhur me luftën me Iranin, duke theksuar se fokusi i tij mbetet mesazhi i paqes.
Gjatë një prononcimi për gazetarët në avionin papal, teksa udhëtonte nga Kameruni drejt Angolës, Papa u shpreh: “Nuk është aspak në interesin tim të debatoj me presidentin”, ndërsa shtoi se do të vijojë të predikojë mesazhin ungjillor të paqes, shkruan Newsmax.
Ai komentoi gjithashtu polemikat e ditëve të fundit. “Ka pasur një narrativë që nuk ka qenë e saktë në të gjitha aspektet e saj. shumë nga ato që janë shkruar kanë qenë më shumë komente mbi komente, duke u përpjekur të interpretojnë atë që është thënë.”
Reagimet e Papës vijnë pasi Trump kishte kritikuar qëndrimet e tij për paqen, duke e akuzuar për qëndrime të buta dhe për lidhje me të majtën. Megjithatë, Papa sqaroi se mesazhet e tij nuk i drejtohen një personi të vetëm, por përfaqësojnë një thirrje universale kundër luftës dhe dhunës.
Ai ka dënuar gjithashtu përdorimin e fesë për të justifikuar konfliktet, duke e cilësuar si të papranueshme kërcënimin për shkatërrimin e një civilizimi.
Papa theksoi se vizita e tij në Afrikë ka karakter pastoral dhe synon të forcojë unitetin, drejtësinë dhe paqen, duke nënvizuar se misioni i tij është të inkurajojë besimtarët dhe të promovojë vëllazërinë mes popujve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)