Një fenomen i rrezikshëm detar, që shpesh kalon i padukshëm për syrin e njeriut, është vërejtur në brigjet pranë Sidneit në Australi, duke ngritur shqetësime për sigurinë e pushuesve.
Bëhet fjalë për një lloj rryme detare që krijon një vorbull të fuqishme, e njohur si “tornado”, një variant i rrymave të tërheqjes. Ndryshe nga rrymat e zakonshme që thjesht tërheqin ujin drejt detit të hapur, ky fenomen krijon një lëvizje rrotulluese, duke formuar një vorbull që ngjan me një mini-tornado në ujë.
Ajo që e bën këtë fenomen veçanërisht të rrezikshëm është fakti se nuk mund të dallohet nga bregu. Ndërsa nga ajri, përmes dronëve, vorbulla shihet qartë, në nivelin e ujit nuk ka shenja të dukshme për pushuesit, duke e bërë atë një kërcënim të fshehtë.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse një person kapet nga një rrymë e tillë, mund të tërhiqet me shpejtësi drejt detit të hapur. Megjithatë, ata theksojnë se gabimi më i madh është përpjekja për të notuar kundër rrymës, pasi kjo çon në lodhje të shpejtë dhe rrit rrezikun.
Rekomandimi kryesor është të ruhet qetësia, të lihet trupi të lëvizë me rrymën dhe të notojë paralel me bregun vetëm pasi të dalë nga zona e rrezikut.
Ky fenomen tregon se deti mund të fshehë rreziqe të paparashikueshme, edhe kur duket i qetë në sipërfaqe, ndaj njohja e tyre është thelbësore për sigurinë e pushuesve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)