Gruaja në Kuçovë hipën në shtyllë dhe kërcënon të hidhet: S’më kanë dhënë rrogën prej dy muajsh!

Në pamjet e publikuara nga Lefter Maliqi në rrjetet sociale, shihet gruaja që ngjitet në një prej shtyllave të puseve të naftës në qytetin e Kuçovës dhe kërcënon të hidhet për t’i dhënë fund jetës.

12.02.2026. 13:58

Gruaja në Kuçovë hipën në shtyllë dhe kërcënon të hidhet: S’më kanë dhënë rrogën prej dy muajsh!

Një grua, për të cilën ish-deputeti i PD Lefter Maliqi, e ka identifikuar si punonjëse pastrimi në Bashkinë e Kuçovës, hipi në një shtyllë mesditën e sotme dhe kërcënoi që të hidhet nga lartësia.

Në pamjet e publikuara nga Maliqi në rrjetet sociale, shihet shtetësja Elona Bregu që ngjitet në një prej shtyllave të puseve të naftës në qytetin e Kuçovës dhe kërcënon të hidhet për t’i dhënë fund jetës, teksa forca të shumta policie, kolegë të saj por edhe qytetarë ndodheshin në vendngjarje.

Mësohet se pas negociatave me policinë zonja që u gjit në një kullë të ish-uzinës së përpunimit të naftës ka zbritur në mënyrë të sigurt në tokë, teksa i është premtuar se do të kthehet në punë.

“Më hoqën nga puna sepse kërkova rrogat që kishim 2 muaj e gjysmë pa i marrë. Nuk e di si do zgjidhet ky problem, ja të shkojmë te kryetari i bashkisë”, u shpreh ajo për mediat më pas.

Ndërkohë në reagimin e tij, Lefter Maliqi shpjegon se punonjësit e pastrimit në Kuçovë kanë rreth dy muaj që nuk marrin pagat dhe sipas tij kjo është arsyeja që zonja në fjalë në kushte të rënduara ka ndërmarrë aktin ekstrem.

“E rëndë! Po ndodh tani ne Kuçovë! Punonjësja e pastrimit në Kuçovë ka hipur në majë të kullës tek ish Uzina Kuçovë dhe po tenton të hidhet, t’i jap fund jetës, pasi kanë dy muaj pa marr pagat, raste të përsëritura dhe Kryetari i Bashkisë, i paafti, i dënuari, abuzuesi nën hetim nga “SPAK”, Hajdari i cili i ka dhënë mbi 1 Miliardë e 700 Milion “Tender Korruptivë kompanisë “Viola Green” dhe sot i kanë pushuar nga puna sepse kërkojnë pagat dhe të drejtat e tyre”, shkruan Maliqi.

Më tej ai shprehet se kompania ‘Viola Green’ është kallëzuar në SPAK, ndërsa kërkon që të ndëshkohen përgjegjësit për këtë situatë, ku punonjësit e pastrimit kërkojnë të paguhen duke tentuar edhe vetëflijimin.

“SPAK ende hesht, pasi për “Viola Green” dhe Hajdarin ka kallëzim në SPAK. Turp, skandal, Kuçova si Mesjetë me qenë e plehra, si gërmadhë po sakrifikon dhe jetën e punonjësve të vet. Ndëshkim Ligjor për këta të korruptuar”, shkruan më tej Maliqi.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)