“Konsullatë shqiptare në Bujanoc”, ministri Hoxha takohet me homologun serb: Bashkëpunim dhe dialog me Kosovën

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme nënvizoi nevojën për thellimin e bashkëpunimit rajonal si rruga më e sigurt drejt një të ardhmeje të përbashkët.

19.04.2026. 10:33

“Konsullatë shqiptare në Bujanoc”, ministri Hoxha takohet me homologun serb: Bashkëpunim dhe dialog me Kosovën

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin “X” se ka zhvilluar një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Duriç, në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalias 2026.

Sipas Hoxhës, diskutimet u përqendruan në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit konkret, me synim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare, të cilat sipas tij janë të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm dhe stabilitetin rajonal. Ai theksoi gjithashtu se ka mirëpritur gatishmërinë e Serbisë për të shqyrtuar pozitivisht kërkesën e Shqipërisë për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Bujanoc.

Hoxha nënvizoi nevojën për thellimin e bashkëpunimit rajonal si rruga më e sigurt drejt një të ardhmeje të përbashkët, duke lënë mënjanë retorikat e panevojshme dhe joproduktive. Ai shtoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar në qartësinë e politikës së saj të jashtme dhe forcimin e kontakteve mes njerëzve.

Në deklaratë, ministri shqiptar pranoi se mes palëve ekzistojnë qëndrime thelbësisht të ndryshme sa i përket Kosovës, por ritheksoi qëndrimin e Shqipërisë për rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian si e vetmja rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke, e cila sipas tij është thelbësore për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)