Fasada e Muzeut Historik Kombëtar ka përfunduar restaurimin e plotë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e rikonstruksionit të këtij institucioni të rëndësishëm kulturor.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, i cili publikoi pamje nga ndërhyrjet e realizuara dhe rezultatin përfundimtar në rrjetet sociale. Sipas tij, përfundimi i kësaj faze hap rrugën për vijimin e punimeve të tjera, që përfshijnë përforcimin strukturor, rimuzealizimin dhe rikonceptimin e plotë të institucionit.
Restaurimi i fasadës vjen pas ndërhyrjes së mëparshme në mozaikun monumental, realizuar në kuadër të programit EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS. Ndërhyrja e fundit në fasadë synon të ruajë vlerat historike dhe arkitektonike të godinës, e cila klasifikohet si monument kulture i kategorisë së dytë.
Ky projekt realizohet falë një marrëveshjeje me Bankën Europiane të Investimeve, që ka akorduar një grant prej 350 mijë eurosh për shërbime këshillimore në restaurimin urban dhe rindërtimin e muzeut.
Muzeu Historik Kombëtar ishte ndër më të prekurit nga tërmeti i vitit 2019. Ai u mbyll për publikun më 15 mars 2024 dhe pritet të qëndrojë i mbyllur për katër vite, me rihapjen e planifikuar më 15 mars 2028. Gjatë kësaj periudhe, institucioni do t’i nënshtrohet një transformimi të thellë për të përmirësuar përvojën muzeale dhe për të përshtatur hapësirat me standardet bashkëkohore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)