“Niko, nuk fshihet korrupsioni në kasafortë”, Bardhi kërkon materialet e SPAK për Ballukun

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pasi Kuvendi nuk u dha anëtarëve të Këshillit të Imunitetit provat e dorëzuara nga SPAK për dosjen ku e akuzuar është zv/kryeministrja Belinda Balluku, e mbi të cilat bazohet edhe kërkesa për heqjen e imunitetit të saj.

17.12.2025. 15:57

“Niko, nuk fshihet korrupsioni në kasafortë”, Bardhi kërkon materialet e SPAK për Ballukun

Nuk ka vonuar shumë kundërpërgjigjia e Partisë Demokratike, në përplasjen e fundit me Kuvendin, e krijuar pasi ky institucion refuzoi t’i dorëzojë ligjvënësve që janë anëtarë në Këshillin e Mandateve, materialet të cilat SPAK i dorëzoi së bashku me kërkesën për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.

Pak pasi Kuvendi i Shqipërisë konstatoi se materialet janë të klasifikuara si sekret hetimor dhe USB e paraqitur nga SPAK është kyçur në kasafortën e protokollit, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar duke i thënë kryeparlamentarit Niko Peleshi se “korrupsioni nuk fshihet në kasafortë”.

Sipas Bardhit Kuvendi ka detyrimin ligjor të veprojë pa vonesa apo justifikime. “Niko e ke gabim! Nuk e mbyll më dot në kasafortë korrupsionin e Edi Ramës! Është sheshit, në çdo punë publike!”, shprehet Bardhi.

Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, SPAK ka detyrim ligjor që të dorëzojë në Kuvend jo vetëm relacionin, por edhe provat mbështetëse, të cilat duhet t’u vihen në dispozicion deputetëve për një vendimmarrje të informuar.

“SPAK, sipas ligjit, ka detyrimin të sjellë në Kuvend relacionin, shoqëruar me provat mbështetëse. Këto nuk i sjell për t’i mbyllur në kasafortën e Protokollit të Kuvendit, por për t’ia vënë në dispozicion anëtarëve të Këshillit të Mandateve dhe deputetes së marrë të pandehur”, thekson Bardhi.

Ai shton se për zbatimin e ligjit nuk ka nevojë për konsultime politike apo institucionale të panevojshme.

“Për të zbatuar ligjin s’ka nevojë të pyesësh as SPAK as Edi Ramën! Vendosi në dispozicion deputetëve materialin e plotë", deklaron Bardhi.

Në përfundim, kreu i grupit parlamentar të PD-së kërkon që anëtarëve të Këshillit të Mandateve t’u dorëzohen të gjitha materialet, përfshirë provat shoqëruese të relacionit dhe urdhri i prokurorit i datës 16.12.2025, në mënyrë që Kuvendi të veprojë në përputhje të plotë me ligjin.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)