“Rama po përpiqet të bëjë grusht shteti!” Berisha: Seancën për Ballukun duan ta shtyjnë për vitin tjetër

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për përpjekje për të penguar drejtësinë dhe për të ushtruar kontroll politik mbi institucionet, pas reagimit të qeverisë ndaj kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut.

17.12.2025. 13:51

“Rama po përpiqet të bëjë grusht shteti!” Berisha: Seancën për Ballukun duan ta shtyjnë për vitin tjetër

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi sërish kryeministrin Edi Rama për një tentativë për kontroll mbi drejtësinë, duke komentuar reagimin e qeverisë ndaj kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut. Sipas Berishës, veprimet e Ramës tregojnë një përpjekje për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur interesat e tij dhe të bashkëpunëtorëve të afërt, duke e cilësuar situatën si “grusht shteti” ndaj sistemit të drejtësisë.

“Kjo që po bën Rama po mban erë si një grusht shteti sepse marrja e bllokimi i pushtetit të drejtësisë shënon në vetvete grusht shteti. Ne po e ndjekim dhe do t’i përgjigjemi me të gjithë forcën tonë. Drejtësia nuk mund të pengohet kurrë. Beteja nuk ndalet më kurrë deri në vendosjen e votës së lirë, largimin e këtij regjimi që de facto edhe mundësinë e fundit për të luftuar korrupsionin po e asgjëson”, tha ai.

Berisha shprehu shqetësimin se Partia Socialiste mund të tentojë të shtyjë seancën e Kuvendit për çështjen e imunitetit të Ballukut pas vitit të ri. Ai paralajmëroi se deputetët e PD do të kërkojnë që parlamenti të mblidhet urgjentisht, sipas Kushtetutës, dhe të trajtojë kërkesën e SPAK pa vonesa. Sipas tij, kryeministri Rama gjendet “mes dy zjarreve”, duke u përballur me zgjedhjen për të mbrojtur Belinda Ballukun apo për të lejuar hetimin e bashkëshortes së tij, Linda Ramës.

Në një konferencë për shtyp, Berisha akuzoi gjithashtu kryeparlamentarin Niko Peleshi për mbylljen e provave të dorëzuara nga SPAK për heqjen e mandatit dhe arrestimin e Ballukut, duke mos i bërë ato publike për anëtarët e Këshillit të Mandateve.

“Peleshi ka futur provat në kasafortë dhe nuk ua jep anëtarëve të komisionit të Mandateve, kjo nuk ka ndodhur kurrë.  Nuk ua jep sepse provat kanë gjëra të llahtarshme që e bëjnë Lubinë, thjeshtë një shërbëtore të Ramës. Ai  nuk ua jep dhe kërkon të mbledhë Këshillin e Mandateve pa dorëzuar të plotë dokumentet anëtarëve”, tha ai.

Berisha paralajmëroi se Partia Demokratike nuk do të lejojë manipulime në Kuvend dhe do të mbrojë çdo hap ligjor të procedurës për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut. Ai theksoi se “drejtësia nuk mund të pengohet kurrë” dhe premtoi se beteja për të zbardhur përgjegjësitë do të vazhdojë pa u ndalur, duke e konsideruar këtë rast një test të fortë për institucionet dhe transparencën e qeverisë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)