“Krishti u ngjall!” Besimtarët ortodoksë festojnë Pashkët

Mes dritës së qirinjve, tingujve të kambanave dhe lutjeve për paqe, besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtuan festën më të rëndësishme të kalendarit të tyre fetar, Pashkën, simbolin e Ngjalljes së Krishtit dhe triumfit të jetës mbi vdekjen.

12.04.2026. 08:59

“Krishti u ngjall!” Besimtarët ortodoksë festojnë Pashkët

Mes dritës së qirinjve, tingujve të kambanave dhe lutjeve për paqe, besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtuan festën më të rëndësishme të kalendarit të tyre fetar, Pashkën, simbolin e Ngjalljes së Krishtit dhe triumfit të jetës mbi vdekjen.

Në mesnatën mes 11 dhe 12 prillit, kisha dhe katedralet u mbushën me mijëra besimtarë që morën pjesë në meshën solemne, duke përcjellë mesazhe shprese, dashurie dhe besimi. Në Tiranë, ceremonia qendrore u zhvillua në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, nën drejtimin e Kryepeshkopit Joan, i cili dha një mesazh të fortë për kohët moderne, duke paralajmëruar për “mpirjen e indiferencës” dhe zbrazëtinë shpirtërore të shoqërisë.

“Njeriu po ndjek të mirat materiale, por ndihet më i vetmuar se kurrë”, theksoi ai, duke bërë thirrje për reflektim dhe rikthim te vlerat shpirtërore. Kryepeshkopi apeloi për paqe të brendshme si kusht për një botë më të mirë: “Bëni paqe në zemrën tuaj dhe përhapeni atë kudo”.

Foto: LSA

Atmosfera festive u ndje në çdo qytet. Në Fier, qindra besimtarë u mblodhën në kishën e Shën Gjergjit, ku mesha u shoqërua me lutje për harmoni dhe mirësi, ndërsa në Korçë mijëra qytetarë mbushën sheshin para Katedrales, duke e kthyer qytetin në një nga qendrat kryesore të festimeve.

Në Vlorë dhe Dhërmi, përveç ritualeve tradicionale, nata u ndriçua nga fishekzjarrët, ndërsa në Dhërmi spektakli me dronë i dha festës një dimension modern.

Simbolika e Pashkës u përcoll përmes vezëve të kuqe dhe dritës së qirinjve, që besimtarët e çojnë në shtëpitë e tyre si shenjë shprese dhe begatie. Thirrja “Krishti u ngjall” bashkoi njëzëri të gjithë, duke rikujtuar mesazhin e përhershëm të kësaj dite: fitorja e së mirës mbi të keqen dhe ringjallja e besimit në zemrat e njerëzve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)