Një operacion i madh kundër Call Center-ave të dyshuar për mashtrime financiare ka goditur disa ambiente në Tiranë, duke çuar në arrestime dhe sekuestrime të shumta.
Aksioni, i zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës dhe në bashkëpunim me autoritetet gjermane dhe austriake, është rezultat i një hetimi që ka nisur rreth dy vite më parë. Sipas të dhënave, janë lëshuar 8 masa sigurie, ndërsa 4 persona janë arrestuar, ndërkohë që vijojnë kërkimet për persona të tjerë të përfshirë.
Operacioni ka goditur tre Call Center-a, dy pranë Kopshtit Zoologjik dhe një në rrugën e Kavajës. Në këtë të fundit, gjatë ndërhyrjes së policisë janë gjetur rreth 60 punonjës, të cilët po merren në pyetje për rolin e tyre në aktivitetin e dyshuar të paligjshëm. Gjithashtu janë sekuestruar telefona, kompjutera dhe pajisje të tjera që dyshohet se përdoreshin për mashtrimin e qytetarëve europianë.
Sipas burimeve, këto struktura operonin me dhjetëra operatorë, që synonin zhvatjen e shumave të mëdha parash përmes skemave të mashtrimit. Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe ambiente të mbyllura në Call Center-in e rrugës së Kavajës, çka ka ngritur dyshime për dekonspirim të operacionit.
Hetimet kanë nisur pasi autoritetet gjermane dhe austriake ndanë informacionet me institucionet shqiptare, duke çuar në zbardhjen e këtij rrjeti të dyshuar kriminal.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)