Shtetet e Bashkuara po testojnë një teknologji të re inovative në det të hapur, që mund të hapë një kapitull të ri në prodhimin e energjisë së pastër nga valët.
Projekti “Ocean-2”, i zhvilluar nga startup-i amerikan Panthalassa, është provuar në Oqeanin Paqësor, pranë brigjeve të shtetit të Uashingtonit. Ai bazohet në përdorimin e sferave gjigante lundruese, me diametër rreth 10 metra, të lidhura me struktura të zhytura, të cilat shfrytëzojnë lëvizjen e valëve për të prodhuar energji elektrike.
Teknologjia funksionon duke shndërruar energjinë kinetike të valëve në energji elektrike përmes një sistemi të brendshëm që aktivizon turbina të mbrojtura brenda strukturës. Gjatë testimeve, sistemi ka arritur të prodhojë deri në 50 kilovat energji, duke ruajtur një ndikim minimal në mjedisin detar dhe pa dëmtuar faunën.
Një nga synimet kryesore të projektit është përdorimi i kësaj energjie për prodhimin e hidrogjenit të gjelbër në det, si dhe furnizimi me energji i qendrave të të dhënave të vendosura në oqean. Struktura është projektuar për t’i rezistuar kushteve ekstreme dhe konsumimit të vazhdueshëm në mjedisin detar.
Megjithëse ky është një hap i rëndësishëm për SHBA-në, disa vende europiane kanë qenë pararojë në këtë fushë. Portugalia ishte ndër të parat që zhvilloi një park valësh në vitin 2008, ndërsa Mbretëria e Bashkuar, veçanërisht Skocia, vijon të jetë lider në investimet dhe zhvillimin e kësaj teknologjie.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)