Trump propozon ish-komandantin e NATO-s si ambasador të SHBA-ve në Shqipëri

Një emër i ri pritet të marrë drejtimin e ambasadës amerikane në Tiranë, pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka propozuar Eric Wendt për këtë post diplomatik.

13.04.2026. 22:15

Trump propozon ish-komandantin e NATO-s si ambasador të SHBA-ve në Shqipëri

Një emër i ri pritet të marrë drejtimin e ambasadës amerikane në Tiranë, pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka propozuar Eric Wendt për këtë post diplomatik.

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi zyrtar të Shtëpisë së Bardhë, ku përfshihen nominimet e fundit të dërguara në Senat. Në dokument sqarohet se Wendt, nga Kalifornia, është propozuar si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i SHBA-ve në Republikën e Shqipërisë.

Eric Wendt vjen me një përvojë të gjatë në strukturat ushtarake dhe të sigurisë amerikane, ku ka shërbyer për më shumë se tre dekada. Ai përfundoi detyrën e tij të fundit si komandant i pestë i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO-s, post nga i cili u tërhoq më 29 janar 2021.

Gjatë karrierës së tij, Wendt ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme, përfshirë rolin e Koordinatorit të Sigurisë së SHBA-ve për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez në periudhën 2017-2019. Ai ka shërbyer gjithashtu si shef shtabi në Komandën e Paqësorit, komandant i Qendrës dhe Shkollës së Luftës Speciale “John F. Kennedy”, si dhe komandant i Operacioneve Speciale në Kore.

Ndër detyrat e tjera të rëndësishme përfshihet edhe roli i zëvendëskomandantit në Komandën Rajonale Veri të forcave ndërkombëtare të sigurisë në Afganistan.

Wendt u emërua oficer në vitin 1986 përmes programit ROTC në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara, ku u diplomua në drejtësi dhe shoqëri. Më pas ai përfundoi studimet pasuniversitare në Shkollën Pasuniversitare Detare, duke marrë një diplomë master në çështjet e sigurisë kombëtare.

Ai doli në pension në mars të vitit 2021, pas 34 vitesh shërbimi. Kujtojmë se në vitin 2020, Trump e kishte propozuar për ambasador në Katar, por kandidatura e tij nuk u shqyrtua nga Senati.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)