“Sazani mbetet i Shqipërisë”, Rama: Projekti ka pësuar ndryshime, i orientuar te kultura dhe arti, vijojnë negociatat

Projekti për zhvillimin e ishullit të Sazanit po rishikohet, ndërsa qeveria shqiptare thekson se investimi do të ketë më pak ndërtime dhe një qasje më të orientuar drejt kulturës dhe artit.

13.04.2026. 17:07

“Sazani mbetet i Shqipërisë”, Rama: Projekti ka pësuar ndryshime, i orientuar te kultura dhe arti, vijojnë negociatat

Projekti për zhvillimin e ishullit të Sazanit po rishikohet, ndërsa qeveria shqiptare thekson se investimi do të ketë më pak ndërtime dhe një qasje më të orientuar drejt kulturës dhe artit.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me operatorët turistikë në Vlorë, u ndal veçanërisht te investimi i parashikuar në ishullin e Sazanit nga biznesmeni Jared Kushner. Ai bëri të ditur se negociatat për këtë projekt nuk kanë përfunduar ende, duke theksuar se shteti shqiptar do të jetë pjesë e kompanisë që do të realizojë dhe administrojë investimin.

“Sazani është i Shqipërisë dhe do të mbetet i Shqipërisë. Ne akoma dhe sot nuk i kemi mbyllur negociatat për Sazanin. Shqipëria do të jetë pjesë e kompanisë që do të investojë dhe administrojë ishullin. Dhe në këtë pikë shqiptarët janë të përfaqësuar nga shteti”, u shpreh Rama.

Sipas tij, projekti fillestar ka pësuar ndryshime gjatë procesit të diskutimeve, duke reduktuar ndjeshëm numrin e ndërtimeve të planifikuara. Kryeministri theksoi se zhvillimi i ishullit nuk do të çojë në izolimin e tij apo krijimin e një zone ekskluzive të mbyllur për publikun.

“Nuk bëhet fjalë për të mbyllur ishullin. S’do jetë resort i mbyllur, s’do bëhet rezervat i privilegjuar. Projekti i Sazanit ka ndryshuar në proces. Aty do të ketë shumë pak ndërtime dhe do të ketë një profil kulturor, artistik të rëndësishëm”, deklaroi ai.

Rama shtoi se vizioni për Sazanin është që ai të kthehet në një nga projektet më të bukura të zhvilluara në Mesdhe, duke sjellë përfitime të drejtpërdrejta për turizmin dhe ekonominë lokale në Vlorë.

Sipas kryeministrit, ky investim synon të krijojë një destinacion tërheqës që ndërthur zhvillimin me ruajtjen e karakterit natyror dhe historik të ishullit, duke garantuar një balancë mes turizmit dhe interesit publik.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)