Një infermier shqiptar 32-vjeçar është arrestuar në Itali pasi u kap duke tentuar të fusë sende të ndaluara brenda burgut “Opera” në Milano, ku ai punonte.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së mërkurës, kur i riu u paraqit si zakonisht në hyrjen e institucionit për të nisur turnin e punës. Por policia e burgut, që e kishte prej kohësh nën vëzhgim për sjellje të dyshimta, ndërhyri dhe e kontrolloi menjëherë.
Sipas hetimeve, një ditë më parë ai kishte takuar në Milano një bashkëkombës 44-vjeçar, nga i cili kishte marrë një pako për ta futur në burg. Brenda saj u gjetën 5 telefona celularë, një karikues me adaptor dhe 1700 euro.
Autoritetet dyshojnë se këto sende do t’i dorëzoheshin një të dënuari shqiptar, Shemsi Karaj, 32 vjeç, i cili po vuan dënimin për një seri vjedhjesh në disa provinca të Lombardisë dhe pritet të lirohet në vitin 2027.
Të dy, infermieri dhe i dënuari, janë arrestuar në flagrancë për futje dhe përdorim të paligjshëm të pajisjeve të komunikimit në burg, një vepër penale që parashikon dënim me burg. Ndërkohë, 44-vjeçari që dorëzoi pakon është proceduar në gjendje të lirë.
Hetimet vijojnë, pasi autoritetet dyshojnë se pas këtij rasti mund të fshihet një rrjet më i gjerë që synon futjen e sendeve të ndaluara dhe drogës në burgje.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)