Dielli dynd shqiptarët drejt bregdetit, fluks i lartë në kufirin Shqipëri-Kosovë

Kushtet e favorshme atmosferike, temperaturat e larta dhe afrimi i sezonit turistik kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e këtij qarkullimi, duke shtuar interesin për zonat turistike në të dy vendet.

19.04.2026. 14:34

Dielli dynd shqiptarët drejt bregdetit, fluks i lartë në kufirin Shqipëri-Kosovë

Pika e përbashkët e kalimit kufitar Shqipëri-Kosovë është përfshirë këtë fundjavë nga një fluks i lartë automjetesh dhe qytetarësh, ku mijëra persona nga të dyja vendet kanë shfrytëzuar ditët e pushimit për udhëtime dhe pushime afatshkurtra.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Kufirit në Kukës, nga dita e shtunë e deri më tani në territorin e Shqipërisë kanë hyrë 16,200 shtetas nga Kosova me 6,853 mjete. Ndërkohë, nga Shqipëria drejt Kosovës kanë dalë 13,152 shtetas shqiptarë me 5,047 mjete.

Ky fluks është kthyer tashmë në një rutinë të fundjavave, ku qytetarët e Kosovës zgjedhin të kalojnë pushime të shkurtra në bregdet, ndërsa qytetarët e Shqipërisë shkojnë për të shijuar bukurinë dhe ushqimin në krahun tjetër.

Kushtet e favorshme atmosferike, temperaturat e larta dhe afrimi i sezonit turistik kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e këtij qarkullimi, duke shtuar interesin për zonat turistike në të dy vendet. Autoritetet kufitare në pikat e Morinës në Shqipëri dhe Vërmicës në Kosovë kanë rritur masat për përballimin e situatës, duke shtuar numrin e sporteleve në funksion dhe duke zbatuar procedura të përshpejtuara.

“Gjatë fundjavave, për mjetet me targa të Shqipërisë dhe Kosovës po aplikohen kontrolle të lehtësuara, me qëllim shmangien e pritjeve të gjata”, njoftuan autoritetet kufitare.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)