Deri të premten raundi i dytë i negociatave SHBA-Iran, Teherani: Nuk kanë të drejtë të na kufizojnë programin bërthamor

Presidenti Masoud Pezeshkian tha se kanë përballuar presionin dhe sulmet, duke akuzuar kundërshtarët për shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

19.04.2026. 14:14

Deri të premten raundi i dytë i negociatave SHBA-Iran, Teherani: Nuk kanë të drejtë të na kufizojnë programin bërthamor

Dy burime nga shërbimet e sigurisë në Pakistan deklarojnë se raundi i dytë i negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të zhvillohet deri të premten, më 24 prill. Duke folur për Al Jazeera në kushte anonimiteti, burimet thanë se kanë arritur në këtë përfundim bazuar në disa tregues konkretë. Së pari, ato përmendin faktin se “dy avionë transportues të rëndë amerikanë C-17 Globemaster kanë zbritur në bazën ajrore Noor Khan në Raëalpindi”, pranë kryeqytetit Islamabad.

Burimet shtojnë se “rrugët nga aeroporti drejt Zonës së Kuqe në Islamabad janë mbyllur përkohësisht, duke treguar rritje të masave të sigurisë”. Po ashtu, sipas tyre, “hotel Serena dhe Marriott në Islamabad janë evakuuar dhe nuk do të pranohen rezervime të reja deri të premten”. Raundi i parë i bisedimeve mes SHBA dhe Iranit është zhvilluar më 11 prill në hotelin Serena në Islamabad.

Ndërkohë, presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian ka deklaruar se SHBA nuk ka të drejtë të kufizojë përdorimin e programit bërthamor nga Irani. “Presidenti i Shteteve të Bashkuara thotë se Irani nuk duhet të përdorë fuqinë e tij bërthamore, por nuk shpjegon për cilin krim bëhet fjalë. Çfarë pozicioni ka ai në botë për t’i mohuar një kombi të drejtat e tij ligjore?”, u shpreh Pezeshkian.

Ai shtoi se, sipas parimeve humanitare, çdo vend duhet të gëzojë të drejtat e tij legjitime: “Sipas parimeve njerëzore, secili duhet të gëzojë të drejtat e veta legjitime dhe ne kërkojmë që Irani të trajtohet me drejtësi në sistemin ndërkombëtar. Trump nuk ka të drejtë t’i mohojë një populli të drejtat dhe të thotë se Irani nuk mund të përfitojë nga e drejta e tij bërthamore”.

Në një deklaratë tjetër, presidenti iranian tha se Irani ka përballuar presionin dhe sulmet, duke akuzuar kundërshtarët për shkelje të së drejtës ndërkombëtare. “Armiku nuk arriti objektivat e tij, ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe ka sulmuar infrastrukturë, shkolla dhe spitale. Deklaratat e armikut për shkatërrimin e qytetërimit tonë dhe kthimin e Iranit në epokën e gurit zbulojnë qëllimet dhe synimet e agresorëve”, tha Pezeshkian.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)