Pas tre ditësh me radhë pritjeje të gjata në kufi, qarkullimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut rikthehet në normalitet. Duke nisur nga ora 20:00 e mbrëmjes së sotme, do të zhbllokohen plotësisht pika kufitare e Qafë Thanës, si edhe të gjitha pikat e tjera kufitare mes dy vendeve, të cilat u paralizuan nga protesta e kamionistëve maqedonas.
Bllokada u organizua nga Shoqata e Transportuesve të Maqedonisë së Veriut dhe përfshiu rreth 370 kamionistë, të shpërndarë në 10 pika kufitare. Protesta ishte reagim ndaj zbatimit të sistemit të ri elektronik të hyrje-daljeve në zonën Schengen, të cilin transportuesit e konsiderojnë problematik dhe penalizues për punën e tyre.
Zgjidhja e situatës erdhi pas ndërhyrjes së Komisionit Evropian, i cili pranoi të ndërmarrë masa konkrete për të lehtësuar lëvizjen e transportuesve. Sipas autoriteteve, Brukseli do të lëshojë viza për shoferët profesionistë, duke shmangur pengesat që solli sistemi i ri.
Ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, deklaroi se kërkesat e transportuesve janë marrë parasysh dhe se Komisioni Evropian do të paraqesë një strategji të re për këtë kategori.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)