Kryeministri Edi Rama e nisi të dielën duke “i tërhequr veshin” drejtësisë së re, për të cilën rezervoi disa qortime gjatë monologut në podcasting “Flasim”. Një ndër to shkoi për BKH, me Ramën që tha se disa hetues të këtij insitucioni e kishin vizituar Kryeministrinë dhe refuzonin të dorëzonin pistoletën që iu është dhënë me leje te hyrja, sipas protokollit të Gardës.
Lidhur me këtë pretendim të shefit të qeverisë ka reaguar pak orë pas deklaratës së tij Struktura e Posaçme Antikorrupsion. SPAK sqaron se është e vëertetë hyrja e agjentëve të BKH-së në Këshillin e Ministrave, ku më 20 nëntor sipak komunikatës, kanë shkuar në këto ambiente për t’i komunikuar zv/kryeministres Belinda Balluku masën e sigurisë ndaj, që përkonte me pezullimin nga detyra dhe ndalimin e lëvijes jashtë vendit.
Por, SPAK nënvizon se në asnjë moment oficerët e BKH-së nuk janë përplasur me ata të Gardës së Republikës, përveçse kanë kërkuar informacion dhe janë siguaruar për ambientin ku ndodheshin dollapët e posaçëm për të lënë armët që kishin me vete.
Reagimi i SPAK:
Në përgjigje të kërkesave dhe interesit të medias lidhur me deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, Byroja Kombëtare e Hetimit sqaron sa më poshtë:
Më datë 20 nëntor 2025, tre hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë, nr. 118, datë 19.11.2025, përmes të cilit është vendosur masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku.
Në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit. Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve. Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit.
Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale.
Theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës.
E drejta e hetuesve të BKH-së për mbajtjen e armës së zjarrit mbështet tek ligji nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, ku neni 31, pika 3, parashikon shprehimisht se oficerët e Policisë Gjyqësore, përfshirë ata të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pajisen me armë zjarri sipas legjislacionit në fuqi për përdorimin e tyre.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)