Irani kthen mbrapsht dy cisterna në Hormuz, tregtia e naftës ka humbur mbi 50 miliardë dollarë

Kina po përfiton nga kriza e karburanteve, eksportet e vendit aziatik janë rritur ndjeshëm, duke përfshirë një rritje prej 80% të eksporteve të paneleve diellore.

19.04.2026. 15:48

Irani kthen mbrapsht dy cisterna në Hormuz, tregtia e naftës ka humbur mbi 50 miliardë dollarë

Mediat në Teheran kanë raportuar se dy anije cisternë me naftë, që po tentonin të kalonin Ngushticën e Hormuzit janë detyruar të kthehen mbrapsht, pas paralajmërimeve të forcave të armatosura iraniane. Sipas agjencisë iraniane Tasnim, incidenti ndodhi në një kohë kur vazhdon bllokada detare e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit.

Dy anijet mbanin flamurin e Botsëana-s dhe të Angola-s. Ato synonin të kalonin përmes kësaj rruge ujore strategjike, por pas ndërhyrjes iraniane u detyruan të ndryshojnë kurs dhe të kthehen pas.

Ndërkohë, sipas raportimeve dhe përllogaritjeve ekonomike, prej fillimit të luftës dhe ndërprerjes së qarkullimit të anijeve në Lindjen e Mesme, janë humbur mbi 50 miliardë dollarë në tregtinë e naftës. Situata në Ngushticën e Hormuzit vazhdon të jetë e pasigurt dhe nuk ka ende garanci për rikthimin e plotë të flukseve.

Në këtë kontekst, tregjet financiare janë përshtatur me një realitet të ri, duke pritur një hapje graduale të qarkullimit detar. Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol deklaroi se rikthimi drejt normalitetit mund të zgjasë disa muaj.

“Nuk ka siguri për rifillimin e flukseve në Ngushticën e Hormuzit. Perspektiva është një rikthim gradual drejt normalitetit që mund të zgjasë deri në gjashtë muaj, por për një riaktivizim të plotë të flukseve do të duhen të paktën dy vjet” tha Birol.

Raportimet theksojnë se ndërkohë Kina po përfiton nga kjo situatë. Eksportet kineze janë rritur ndjeshëm, duke përfshirë një rritje prej 80% të eksporteve të paneleve diellore. Vendi aziatik ka përfituar në këtë mënyrë nga kriza e karburanteve dhe zhvendosja e tregjeve drejt burimeve alternative të prodhimit të energjisë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)