Kishte hyrë për të mësuar notin, 27 vjeçarja vdes nga uji i helmuar i pishinës

Një 27-vjeçare humbi jetën dhe disa persona të tjerë u shtruan në spital, pasi dyshohet se u helmuan nga kimikatet e përdorura për pastrimin e një pishine gjatë një kursi noti në Brazil.

Burimi: globo

09.02.2026. 18:11

Kishte hyrë për të mësuar notin, 27 vjeçarja vdes nga uji i helmuar i pishinës

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Brazil, ku një vajzë 27-vjeçare ka humbur jetën në rrethana tragjike, pas një kursi noti të zhvilluar së bashku me familjarët e saj. Autoritetet po hetojnë pistën e një helmimi të mundshëm nga kimikatet e përdorura për pastrimin e pishinës.

Sipas të dhënave paraprake, viktima, Juliana Faustino Bassetto, po merrte pjesë në një seancë të rregullt noti me bashkëshortin e saj, kur të dy kanë vënë re një erë dhe shije të pazakontë në ujin e pishinës. Pas shqetësimeve të para shëndetësore, instruktori i notit është njoftuar dhe të pranishmit janë udhëzuar të largohen menjëherë nga ambientet.

Juliana dhe bashkëshorti i saj, banues në São Paulo, janë transportuar me urgjencë në spital, pasi kanë shfaqur simptoma të forta helmimi. Gjendja e 27-vjeçares është përkeqësuar shpejt dhe ajo ka pësuar arrest kardiak, duke ndërruar jetë disa orë më vonë. Bashkëshorti i saj vijon të jetë në gjendje kritike, nën kujdes intensiv mjekësor.

Në terapi intensive ndodhet edhe një fëmijë 14-vjeçar, pjesëmarrës në të njëjtin kurs noti, ndërsa dy persona të tjerë kanë raportuar shqetësime shëndetësore.

Policia dyshon se viktimat janë ekspozuar ndaj një përzierjeje të rrezikshme kimikatesh. Në vendin e ngjarjes është sekuestruar një enë me rreth 20 litra substancë të dyshuar toksike, si edhe mostra uji nga pishina, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht shkaqet e ngjarjes.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)