Në rajonin Yamal të Rusisë është raportuar një rast, që ka ngjallur reagime të forta. Autoritetet lokale kanë varrosur me nderime ushtarake Mikhail Moshkin, duke e shpallur atë si “hero të operacionit special ushtarak” të Rusisë në Ukrainë.
Zyrtarët lokalë i kanë uruar publikisht “kujtim të përjetshëm”, duke e paraqitur atë si një luftëtar të rënë në front. Megjithatë, e kaluara e Moshkinit hedh hije të forta dyshimi mbi këtë narrativë zyrtare të propagandës së Kremlinit.
Në vitin 2020, një gjykatë ruse e dënoi Moshkinin me 11 vjet burg për vrasjen e thjeshtrit të tij. Sipas vendimit gjyqësor, burri e kishte goditur shtatë herë me thikë djalin e bashkëshortes dhe për të fshehur krimin, më pas e kishte varrosur trupin në një terren të shkretuar të zonës arktike ruse. Sipas dëshmive të personave që e njihnin, kjo nuk ishte vrasja e parë e Moshkinit.
Në vitin 2005, ai dyshohet se kishte qëlluar për vdekje vëllain e tij dhe kishte plagosur dy persona të tjerë. Rasti po shihet si një tjetër shembull i mënyrës se si autoritetet ruse po paraqesin persona me të kaluar kriminale si heronj lufte, për shkak të pjesëmarrjes së tyre në luftën kundër Ukrainës, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi standardet morale dhe politike të këtij glorifikimi zyrtar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)