Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin në Ganë, ku një futbollist i ri humbi jetën pas një sulmi të armatosur ndaj autobusit të ekipit. Sipas autoriteteve, sulmuesi i Berekum Chelsea, Dominic Frimpong është qëlluar për vdekje gjatë një grabitjeje, teksa skuadra po kthehej nga një ndeshje e kampionatit kundër Samartex.
Federata e Futbollit të Ganës bëri të ditur se grabitësit hapën zjarr ndaj autobusit të skuadrës, në kohën që po udhëtonte me futbollistët në bord. 20-vjeçari Frimpong u plagos rëndë në kokë dhe ndërroi jetë më vonë në spital.
Ky incident rikthen shqetësimet për sigurinë e skuadrave në vend, pasi një rast i ngjashëm u regjistrua edhe në vitin 2023, kur autobusi i Legon Cities u sulmua pas një ndeshjeje në Samartex, edhe pse në atë rast nuk pati të lënduar. Autoritetet në Ganë kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorëve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)