480 kg kokainë nga Kolumbia, SPAK siguron dy “pentito” në dosjen e Frakullës

Sipas burimeve hetimore, dy bashkëpunëtorët kanë rrëfyer episode të reja mbi funksionimin e grupit dhe rolet e anëtarëve në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Deri më tani, në kuadër të tre procedimeve penale, janë identifikuar të paktën 15 persona të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti.

13.04.2026. 14:17

480 kg kokainë nga Kolumbia, SPAK siguron dy “pentito” në dosjen e Frakullës

Prokuroria e Posaçme ka siguruar bashkëpunimin e dy të pandehurve në dosjen e njohur si “laboratori i kokainës në Frakull”, njëri prej të cilëve shtetas i huaj. Ata kanë vendosur të bashkëpunojnë me drejtësinë, duke dhënë dëshmi të rëndësishme dhe duke zbuluar emra të rinj personash të përfshirë në aktivitetin kriminal.

Sipas burimeve hetimore, dy bashkëpunëtorët kanë rrëfyer episode të reja mbi funksionimin e grupit dhe rolet e anëtarëve në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Deri më tani, në kuadër të tre procedimeve penale, janë identifikuar të paktën 15 persona të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti.

Hetimi për këtë çështje nisi në vitin 2022, pas zbulimit të një laboratori për përpunimin e kokainës në banesën e familjes Çervanaku në Frakull të Madhe, të Fierit. Në atë kohë, autoritetet sekuestruan mbi 480 kilogramë kokainë, e cila dyshohet se kishte ardhur nga Kolumbia, e fshehur në një ngarkesë me “pleh organik artificial”.

Sipas hetimeve, droga ishte transportuar fillimisht nga Kolumbia drejt Greqisë, përmes portit të Pireut, dhe më pas drejt Malit të Zi, në portin e Barit. Nga aty, ngarkesa u fut në Shqipëri më 19 shtator 2022, u zhdoganua në Tiranë dhe më pas u transportua në Frakull të Madhe, ku u zbulua dhe u sekuestrua më 24 nëntor 2022.

Në lidhje me këtë dosje, Apeli i Gjykatës së Posaçme ka shpallur fajtorë 10 persona, duke i dënuar në total me 89 vite burg. Mes të dënuarve është edhe ish-kryetari i komunës së Frakullës, Viktor Çervanaku, i cili është dënuar me 10 vite burg, pasi banesa ku u zbulua laboratori rezultonte në pronësi të tij.

Ndërkohë, në kuadër të hetimeve të mëtejshme të zhvilluara nga SPAK, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, janë arrestuar Klevent Gjolena, Aldi Zonja dhe Musa Gjikola. Në kërkim vijojnë të jenë Kevin (Arjan Margjoni) dhe Durim Keçi.

Autoritetet theksojnë se hetimet vijojnë, ndërsa dëshmitë e reja pritet të çojnë në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)