Kostot e karburantit janë rritur globalisht si rezultat i luftës SHBA-Izrael me Irani, por në Irlandë kanë shpërthyer demonstratat, me protestuesit që kanë bllokuar pikat e shpërndarjes së karburantit dhe shumë autostrada e rrugë kryesore.
Garda irlandeze doli gjithashtu në rrugë duke u përpjekur të largojë një numër protestuesish nga pikat e karburantit. Fillimisht policia zhvendosi protestuesit nga rruga O'Connell në Dublin, autostrada M50 pranë qytetit dhe nga porti i Galway, të cilat mbaheshin të bllokuara.
Menjëherë pas orës 03:30 sipas orës lokale, gardaí u kërkoi njerëzve brenda traktorëve dhe kamionëve në Rrugën O'Connell të largoheshin nga zona dhe ata e bënë këtë në mënyrë paqësore. Rreth 200 policë, njësia e rendit publik dhe njësia e hipur në kuaj rrethuan protestuesit, ndërsa në qiell u ngrit edhe një helikopter i Gardës. Një operacion për t'i dhënë fund bllokadës së porteve në Galëay filloi më vonë gjatë mëngjesit.
Të dielën, Fuels for Ireland tha se një cisternë nafte që transportonte gjashtë milionë litra karburant ishte në gjendje të ankorohej në port pasi u hoq bllokada.
Lidhur me situatën e krijuar në vend, kryeministri irlandez Micheál Martin tha të dielën se qeveria po zgjeron masat e përkohshme për të ulur akcizën për benzinën dhe naftën.
Ata gjithashtu do të shtyjnë një rritje të taksës së karbonit dhe do të shpallin një skemë subvencionimi të karburantit për fermerët dhe peshkatarët.
Martin kritikoi gjithashtu protestuesit duke i quajtur grupe "me një mandat të vetëshpallur", që kanë vendosur bllokada.
"Ata kanë refuzuar në mënyrë të qartë të drejtën e grupeve përfaqësuese demokratike për të folur në emër të tyre dhe kanë shkuar shumë më tej se thjesht shprehja e pikëpamjes së tyre. Askush nuk ka të drejtë të bllokojë vendin tonë", tha ai.
Sakaq, paketa mbështetëse e qeverisë irlandeze do të zgjasë uljen e taksës së akcizës nga fundi i majit deri në fund të korrikut. Po ashtu do të ketë një ulje prej 10 centësh për litër si për naftën ashtu edhe për benzinën. Uljet e karburantit do të hyjnë në fuqi nga mesnata e së martës, në varësi të miratimit të parlamenti irlandez.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)