Qeveria ka miratuar ndryshime të rëndësishme në rregulloren për administrimin e plazheve, duke forcuar rolin e bashkive në kontrollin e çmimeve dhe duke krijuar një kategori të re, si plazhi publik me pagesë, i administruar drejtpërdrejt nga bashkitë.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, Këshillat Bashkiakë do të vendosin çmime tavan për shezlongët, përpara nisjes së sezonit veror. Këto çmime do të jenë të detyrueshme për subjektet private dhe tejkalimi i tyre do të sjellë prishjen e kontratës.
Nëse bashkia nuk miraton çmim tavan, ai do të përcaktohet përmes negociatave mes bashkisë dhe operatorit privat dhe do të përfshihet në kontratë.
Një risi tjetër është krijimi i plazheve publike me pagesë, që do të administrohen vetëm nga bashkitë ose ndërmarrjet e tyre publike. Këto zona nuk mund t’u jepen privatëve dhe do të ofrojnë shërbime me standarde të garantuara sigurie dhe higjiene.
Vendimi vendos kufizime edhe për investitorët strategjikë, të cilët do të përfitojnë stacione plazhi vetëm pasi hoteli ose resorti të jetë funksional. Po ashtu, bashkitë do të duhet të hartojnë dhe publikojnë hartat e zhurmave për çdo plazh.
Përjashtime parashikohen për disa zona turistike, ku bizneset pa hotel mund të kenë deri në 50 çadra, si në Zvërnec, Spille, Gjirin e Lalzit, Borsh, Lukovë, Rrjoll etj.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe zbatimi do të monitorohet nga Ministria e Turizmit dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)