Seanca e fundit plenare në Kuvend është mbyllur me tensione, duke kulmuar me braktisjen e sallës nga deputetët e opozitës në momentin kur mazhoranca nisi votimin e projektligjeve.
Deputetët e Partisë Demokratike vendosën të largohen nga salla si shenjë proteste, pasi, sipas tyre, mazhoranca rrëzoi një projektligj të propozuar nga opozita dhe vijoi procedurat pa respektuar rregulloren parlamentare. Ndërkohë, socialistët vijuan normalisht procesin e votimit, duke miratuar disa projektligje pa praninë e opozitës.
Pas daljes nga Kuvendi, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, doli në një deklaratë për mediat, ku ngriti akuza për mënyrën e zhvillimit të seancës. Ai e cilësoi situatën si një provokim të qëllimshëm nga ana e mazhorancës, duke e lidhur me përkujtimin e ngjarjeve të 2 prillit 1991 në Shkodër.
“Sot në një akt provokimi, përfaqësues i partisë që vrau 4 qytetarë në 2 prill 1991 provokoi deputetët e opozitës duke fyer familjet e tyre dhe duke kërkuar 1 minutë heshtje kur në sallë nuk kishte më shumë se 10 deputetë,” deklaroi Bardhi.
Ai shtoi se kishte kërkuar fjalën për të reaguar dhe për të propozuar që minuta e heshtjes të zhvillohej në një moment kur të ishin të pranishëm të gjithë deputetët, por kjo kërkesë, sipas tij, u refuzua në kundërshtim me rregulloren.
“Kërkova që heshtja solemne në nderim të 4 dëshmorëve të demokracisë të bëhej në një orar kur të 140 deputetët të ishin prezentë,” u shpreh Bardhi.
Më tej, ai ngriti akuza edhe për sjellje të papranueshme ndaj deputeteve të opozitës, duke pretenduar se ato janë kërcënuar brenda sallës së Kuvendit. Bardhi përmendi edhe emrin e Taulant Ballës, duke kritikuar sjelljen e tij, si dhe drejtimin e seancës nga Niko Peleshi.
Sipas Bardhit, mazhoranca miratoi 7 deri në 8 projektligje pa debat parlamentar, duke e cilësuar këtë si një goditje ndaj funksionimit normal të Kuvendit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)