Nga foltorja e Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ngriti akuza të forta ndaj Policisë së Shtetit gjatë një interpelance të kërkuar prej tij me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, duke e cilësuar inkriminimin e strukturës si një realitet të njohur edhe ndërkombëtarisht.
Balliu theksoi se inkriminimi i policisë përbën një “plagë të rëndë kombëtare”, ndërsa nënvizoi se brenda radhëve të policisë ka ende efektivë të ndershëm që përballen çdo ditë me bandat dhe krimin e organizuar.
“Për ne sot nuk mund të rrimë pa folur dhe duhet thënë qartë, inkriminimi i Policisë së Shtetit nuk është një akuzë politike, por një fakt i njohur jo vetëm nga opinioni publik shqiptar, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë dhe kjo është një plagë e madhe kombëtare, sepse këtu nuk cënohet vetëm një institucion, por cënohet siguria e çdo qytetari dhe vetë siguria kombëtare. Raporti i zgjerimit i Komisionit Europian thekson qartë se Policia e Shtetit është ekspozuar në mënyrë serioze ndaj korrupsionit dhe infiltrimit të krimit të organizuar”, tha ai.
Ligjvënësi demokrat shtoi se procesi i vetting-ut në polici nuk ka dhënë rezultatet e pritshme dhe, sipas tij, në disa raste është përdorur në mënyrë selektive. Deputeti ngriti shqetësime edhe për intimidimin e gazetarëve dhe për fuqizimin e karteleve shqiptare të drogës në tregun ndërkombëtar.
“Raporti për narkotikët i Departamentit të Shtetit Amerikan evidenton rritjen eksponenciale të karteleve shqiptare të drogës dhe fuqizimin e tyre në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. Kjo rritje është bërë e mundur për shkak të dobësisë së sundimit të ligjit dhe korrupsionit në institucionet shtetërore. Faktorë që në praktikë po lehtësojnë trafikun e drogës dhe pastrimin e parave janë pikërisht korrupsioni dhe lidhjet me krimin e organizuar”, nënvizoi Balliu.
Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, mbrojti punën e Policisë së Shtetit, duke theksuar se besimi te institucionet e sigurisë është thelbësor për shtetin e së drejtës dhe se duhet shmangur “politika e baltosjes”.
“Besimi te policia e shtetit dhe siguria e qytetarëve prek drejtpërdrejt themelet e shtetit të së drejtës. Policia e Shtetit është një organizatë me djem e vajza që çdo ditë përballen me punë të vështirë, në front me krimin e paligjshmërinë dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm me politikën e baltës. Respekti për uniformën e policisë nuk do të thotë mungesë përgjegjësie. Probleme ka, për fat të keq ka edhe individë që kanë shkelur uniformën, por dallimi qëndron se a i fsheh problemet apo i adreson në masa konkrete”, u shpreh ai.
Lamallari renditi edhe disa nga rezultatet konkrete në luftën kundër krimit, duke përmendur sekuestrimin e pasurive me origjinë kriminale dhe rritjen e goditjeve ndaj narkotikëve dhe pastrimit të parave.
“Shqipëria ka shënuar rekord në sekuestrimin e aseteve me origjinë kriminale. Kemi 17.9 milionë euro pasuri kriminale të sekuestruara, 7.2% rritje në goditjen e pastrimit të parave dhe 44.2% rritje në goditjen e narkotikëve. Po ashtu, kriminaliteti ka pësuar ulje, ndërsa kemi mbi 1 mijë operacione policore dhe një rritje të ndjeshme të bashkëpunimit ndërkombëtar.”
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)