Korridori 8 është njohur zyrtarisht nga NATO si korridor sigurie në funksion të mbrojtjes kolektive të Aleancës. Miratimi erdhi gjatë ministerialit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare, të zhvilluar këtë të enjte në Bruksel. Aty mori pjesë edhe ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Korridori, i cili nis nga kompleksi portual Durrës-Porto Romano dhe shtrihet deri në Detin e Zi, tashmë është përfshirë në planet dhe infrastrukturën kritike ushtarake të NATO-s. Ministri Vengu e cilësoi këtë vendim si rezultat të një pune të gjatë dhe të qëndrueshme, duke theksuar rëndësinë strategjike që merr Shqipëria me këtë zhvillim.
Sipas tij, takimi në Bruksel shërbeu gjithashtu për të diskutuar mbi angazhimet aktuale të Shqipërisë në operacionet e NATO-s, veçanërisht në Kosovë. Ai bëri të ditur se vendi ynë do të rrisë kontributin në misionin e KFOR-it, duke përfshirë për herë të parë edhe Forcën Ajrore.
“Shqipëria do rrisë kapacitetet dhe përfshirjen e saj në operacionn e KFOR-it në Kosovë, duke u përfshirë për herë të parë me forcën ajrore. Ndërkohë që në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me komandën Amerikane në Europë, po bëhen të gjitha rivlerësimet e nevojshme për të ardhmen e këtij misioni, çka përbën edhe një okazion shumë të mirë për qeverinë e re të sapozgjedhur të Kosovës, që të rrisë bashkëpunimin cilësor, gjithnjë e më të ngushtë me aleancën”, tha ministri i Mbrojtjes.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe rritja e investimeve në mbrojtje nga vendet anëtare, si dhe transformimi i industrisë ushtarake për të gjeneruar më shumë kapacitete prodhuese. Në përmbyllje, ministri i Mbrojtjes njoftoi se Shqipëria, në bashkëpunim me Turqinë, ka nisur përgatitjet për organizimin e Samitit të NATO-s që do të mbahet në Tiranë në vitin 2027.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)