Gjyqi në Hagë, Kuvendi miraton deklaratën për ish-liderët e UÇK-së

Kuvendi i Shqipërisë, me vota të mazhorancës dhe opozitës, ka miratuar një deklaratë në mbështetje të ish-liderëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

12.02.2026. 16:32

Gjyqi në Hagë, Kuvendi miraton deklaratën për ish-liderët e UÇK-së

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një deklaratë, që u propozuar në fillim të seancës nga mazhoranca, e cila del në mbrojtje të 4 ish-liderëve të UÇK që po gjykohën në Hagë, për të cilët Prokuroria Speciale kërkoi nga 45 vite burg.

Në deklaratën që mori 92 vota, mes të cilave dhe nga opozita, kundërshtohen akuzat e ngritur ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që “synojnë të shtrembërojnë historinë”.

Deklarata e plotë

“Kuvendi, duke mbajtur parasysh të vërtetën historike të luftës së UÇK-së, thekson se kjo ushtri ishte një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për të drejtat e njeriut. Kuvendi vëren me shqetësim se kërkesa e Prokurorisë Speciale rrezikon të krijojë një shtrembërim të rrezikshëm të historisë, duke barazuar luftën legjitime të një populli për mbijetesë dhe liri me krimet e regjimit serb, që kreu spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullit të Kosovës.

Kuvendi i Shqipërisë deklaron mbështetje të plotë dhe të pakushtëzuar për drejtuesit e UÇK-së, që ishin dhe mbeten përfaqësues të aspiratave dhe të drejtave të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Lufta e tyre ishte e drejtë, e mbështetur në parimet universale të të drejtave të njeriut. I drejton kërkesë Dhomave të Specializuara në Hagë, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare që të deklarojnë pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm që respekton dhe nuk cenon dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.

Kujton bashkësinë ndërkombëtare se lufta e UÇK-së u zhvillua në kushtet kur regjimi i Millosheviçit po kryente spastrim etnik dhe akte gjenocidale ndaj popullatës civile të Kosovës, dhe se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 konfirmoi legjitimitetin e asaj lufte dhe natyrën kriminale të regjimit të Millosheviçit. Shpreh solidaritet të plotë me popullin e Kosovës dhe familjet e drejtuesve të UÇK-së, duke ritheksuar se kombi shqiptar qëndron i bashkuar në mbrojtjen e të vërtetës historike dhe të dinjitetit të luftës për liri.

Shpreh angazhimin për të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm diplomatik dhe politik në forumet ndërkombëtare për të siguruar që e vërteta historike mbi luftën e UÇK-së të mos cenohet dhe drejtësia të ushtrohet në mënyrë të drejtë”, thuhet në deklaratë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)