Mediu rrëzon shifrat e Ramës: 2 përqindëshin e NATO-s e kaluam që në 2008-n

Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, i ftuar në “(Për)shtjellim” në Newsmax Balkans Albania, ka hedhur poshtë deklaratat e kryeministrit Edi Rama se Shqipëria ka arritur vetëm së fundmi objektivin e NATO-s për shpenzimet në mbrojtje.

13.02.2026. 22:19

Mediu rrëzon shifrat e Ramës: 2 përqindëshin e NATO-s e kaluam që në 2008-n

Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, i ftuar në “(Për)shtjellim” në Newsmax Balkans Albania, ka hedhur poshtë deklaratat e kryeministrit Edi Rama se Shqipëria ka arritur vetëm së fundmi objektivin e NATO-s për shpenzimet në mbrojtje.

Sipas Mediut, Shqipëria e ka kaluar pragun 2% që në vitin 2008, gjatë qeverisjes së djathtë, në kuadër të përgatitjeve për anëtarësimin në NATO.

“2% nuk u arrit sot. Madje jo 2%, por 2.21% është realizuar për herë të parë në vitin 2008, si detyrim përpara Samitit të NATO-s në Bukuresht. Ka pasur një angazhim të drejtpërdrejtë mes kryeministrit Berisha dhe autoriteteve amerikane për të arritur këtë nivel. Ky është një fakt që sot injorohet,” u shpreh Mediu.

Kreu i PR-së kritikoi qeverinë aktuale për, sipas tij, manipulim të shifrave dhe rishpërndarje artificiale të fondeve, duke përfshirë edhe emergjencat civile në buxhetin e mbrojtjes, vetëm për të deklaruar arritjen e objektivit të NATO-s.

“Problemi është se ne nuk lexojmë historinë. E fillojmë gjithmonë nga e para, sikur çdo gjë të ketë nisur sot. Këtë ia kam thënë edhe ministrit të Mbrojtjes,” theksoi Mediu.

Bashkëpunimi rajonal dhe mungesa e strategjisë politike

Duke komentuar stërvitjet e përbashkëta Shqipëri-Kosovë-Kroaci dhe memorandumin e bashkëpunimit mes tre ministrive të Mbrojtjes, Mediu i cilësoi ato si hapa pozitivë, por të pamjaftueshëm pa një strategji të qartë politike dhe gjeostrategjike.

“Politikat e mbrojtjes nuk janë thjesht ushtarake, por politika sigurie. Ato kërkojnë një dimension të qartë të NATO-s në Ballkan, që duhet të shtrihet më gjerë se vetëm tre vende, në të gjithë Europën Juglindore,” deklaroi ai.

Mediu kritikoi mënyrën se si Shqipëria përfaqësohet në samitet e NATO-s, duke thënë se pjesëmarrja shpesh reduktohet në takime formale dhe foto, pa një substancë reale politike dhe strategjike.

“Ne shkojmë në samitet e NATO-s të papërgatitur, pa një analizë serioze se çfarë përfiton Shqipëria në aspektin e sigurisë dhe interesit kombëtar në rajonin e Ballkanit,” u shpreh Mediu.

Kreu i Partisë Republikane theksoi nevojën për një strategji të mirëfilltë kombëtare të sigurisë, të ndërtuar mbi bashkëpunim rajonal, orientim të qartë euroatlantik dhe transparencë në shpenzimet e mbrojtjes.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)