Debati për rritjen e pagave të gjyqtarëve ka hyrë në një fazë të re tensioni, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi të shtyjë marrjen e vendimit, duke argumentuar se i nevojitet më shumë kohë për shqyrtimin e çështjes. Ky vendim ka sjellë një reagim të menjëhershëm dhe të ashpër nga kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetin social X akuzoi sistemin gjyqësor për vendime të papërgjegjshme dhe të dëmshme për buxhetin e shtetit.
Rama deklaroi se deri më tani gjykatat kanë dhënë 92 vendime në favor të subjekteve të shkarkuara nga procesi i vetingut, duke u akorduar rreth 12 milionë euro trajtim financiar nga fondet publike. Sipas tij, këto pagesa janë kryer edhe pse vendimet nuk kanë marrë formë të prerë, duke detyruar Institutin e Sigurimeve Shoqërore të përdorë fondet e pensioneve për t’i ekzekutuar.
“Ata që u larguan nga sistemi po trajtohen jo si fajtorë, por si viktima që duhen dëmshpërblyer. Kjo është pavarësi e papërgjegjshme”, shkruan Rama, duke paralajmëruar se numri i rasteve pritet të rritet dhe bashkë me të edhe fatura financiare.
Ndërkohë, Shoqata e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve vijojnë betejën ligjore për rritjen e pagave, të cilat sipas kryeministrit synojnë të arrijnë nivele më të larta se në vendet e Bashkimit Evropian. Rama i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese të mos pranojë, siç e quajti ai, “njollën e turpit”, që do t’i kushtonte buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro në vit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)