"20 shkurti është fundi i Ramës", Berisha: Parlamentin do t'ia kthejmë sovranit

Kryedemokrati Sali Berisha nga Parlamenti u tha sot socialistëve se qytetarët do t’i hedhin në lumin Lana, duke iu treguar vendin në protestën e radhës kombëtare të PD.

12.02.2026. 11:56

"20 shkurti është fundi i Ramës", Berisha: Parlamentin do t'ia kthejmë sovranit

Për Sali Berishën 20 shkurti do të shënojë fundin e qeverisjes së Edi Ramës. Kryedemokrati nga Parlamenti u tha sot socialistëve se qytetarët do t’i hedhin në lumin Lana, duke iu treguar vendin në protestën e radhës kombëtare të PD, e cila përkon edhe me ditën kur ra busti i diktaktorit Enver Hoxha.

“Po mbroni hajdutë. Edi Rama është i dënuar nga shqiptarët. 10 shkurti e dëshmoi. 20 shkurti do jetë fundi juaj. 20 shkurti është dita kur shqiptarët përmbysin tiranitë, ndaj dhe ftoj qytetarët shqiptarë t’ua hedhin në Lanë këto imunitete hajdutëve, dhe bashkë me ta edhe hajdutët. Parlamenti është i sovranit. Parlamentin do e mbrojnë qytetarët”, tha kreu i PD.

Berisha foli edhe për protestën kombëtare të së martës, duke thënë se asnjë polic nuk u plagos dhe sipas tij pretendimet e ministres së Brendshme, Albana Koçiu se efektivët mbetën të lënduar nga molotovi janë skenare për të linçuar opozitën.

“Asnjë polic në urgjencë, nxirrni një gërvishtje, një të plagosur, gënjeshtar. Përkundrazi, i gjuajtët me plumba gome në kokë. I gjuajtët me snajper protestuesit, kurse për të rinjtë janë tmerri juaj, prisni se është fillimi, ata do ju groposin ju, ju që i keqtrajtuat të rinjtë me urrejtje, prisni zemërimin e tyre se ju do pësoni atë që nuk e mendoni kurrë do merrni atë që meritoni nga të rinjtë. Keni mbush qelinë me 12 adoleshentë, sepse sipas jush adoleshentët nuk duhet të protestojnë”, tha Berisha. 

Efektivët e lënduar nga protesta e PD, Koçiu sulmon Berishën: Gënjeshtar patologjik! Të kesh turp, shpirtrave të dhunuar e të vrarë nuk u shpëton dot!

Pas akuzave të Berishës për skenarë për të mashtruar qytetarët me policët e lënduar në protestë, reagoi e revoltuar ministrja e Brendshme Albana Koçiu.

Duke e cilësuar kryedemokratin si “gënjeshtar patologjik”, ajo i kujtoi atij se në Spitalin e Traumës ku shkoi menjëherë pas protestës për të parë gjendjen e deputetit Bledion Nallbati, hezitoi t’i përshëndesë dhe uroj shërim të shpejtë efektivëve që po trajtoheshin me ndihmë mjekësore aty.

“Siç ishe zotrote në spital, edhe unë isha në spital, por ti zgjodhe të mos shohësh policët, ti zgjodhe të mbyllje sytë. Shko shikoji edhe sot policët që ishin të shtruar, morën shërbim dhe janë edhe sot. Je gënjeshtar patologjik! Përveçse je dhunues dhe porositës kronik i dhunës, i derdhjes së gjakut, e ke në gjen atë gjakun që do ta derdhësh me patjetër, përveç këtyre, mbyll edhe sytë dhe gënjen nga mëngjesi në darkë. Zor pak nuk ke? Pse nuk i takove policët? Policët u dhunuan sepse u porosit dhunë nga ajo protestë që organizove. Të kesh turp që në vend që të kërkosh ndjesë dhe të distancohesh nga dhuna që u ushtrua ndaj punonjësve të policisë, vjen e thua nuk u godit asnjë. Pak turp nuk ke? Prandaj të ka dënuar historia! I ke fantazmat aty, në dollap! Nuk ke marrë drejtësi deri më sot, por shpirtrave nuk u shpëton dot! Shpirtrave të të gjithë atyre që ke dhunuar, përgjakur, vrarë, nuk u shpëton dot, do të të ndjekin!”, u shpreh Koçiu.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)