8 policë të lënduar në protestë, ministrja Koçiu: Dhuna nuk justifikon të drejtën për protestë

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu ka reaguar për sulmin me molotov që një grup protestuesish realizuan në drejtim të efektivëve të policisë që ishin vendosur në kordon përpara Kryeministrisë dhe Parlamentit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë tubimit kiombëtar të Partisë Demokratike.

10.02.2026. 20:21

8 policë të lënduar në protestë, ministrja Koçiu: Dhuna nuk justifikon të drejtën për protestë

Të paktën tetë efektivë policie kanë mbetur të lënduar si pasojë e sulmit me molotov dhe lëndë piroteknike ndaj Kryeministrisë dhe Parlamentit gjatë protestës kombëtare të Partisë Demokratike.

Punonjësit e policisë janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore, pasi kanë pësuar djegie dhe dëmtime fizike të shumta.

Lidhur me situatën e krijuar ka reaguar ashpër ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, e cila përmes një postimi në Facebook shprehet se dhuna ndaj efektivëve të policisë nuk e justifikon të drejtën për të protestuar.

Në postimin e shoqëruar me pamje nga momenti kur sulmohet me zjarr kordoni i policisë para Parlamentit, Koçiu evidenton atë që u pa gjatë protestës, një grup i maskuar dhe me çanta në krah, të cilët sipas ministres zgjodhën forcën përballë fjalës.

“E drejta për të protestuar, për të disatën herë, u dhunua nga një grup që zgjodhi forcën në vend të fjalës, duke sulmuar, dhunuar e lënduar punonjësit e Policisë së Shteti. Dhuna nuk mund të jetë kurrë një mjet dhe asnjë lloj agjende nuk e justifikon përdorimin e saj.  Mirënjohje për çdo punonjës policie që tregoi profesionalizëm dhe maturi përballë çdo provokimi. Policia do të jetë gjithmonë në krye të detyrës për të garantuar të drejtën për të protestuar, si dhe të garantojë sigurinë e çdo qytetari dhe të pronës publike dhe të qytetarëve”, shprehet ministrja e Brendshme.

Pak më herët për sulmin me molotovë ndaj policisë reagoi edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili tha se protestuesit kanë ngritur dorë ndaj shtetit.

“Dy fjalë për fundin e protestave të bufit, ku sulmohen punonjësit e policisë dhe institucionet. Ndoshta për të fshehur me tym e flakë dështimin e tyre. Gjithmonë do të ekzistojë liria për të protestuar në Shqipërinë tonë. Por sa kohë ligji e thotë qartësisht, nuk duhet të ekzistojë liria për të goditur apo keqtrajtuar ata që kanë zgjedhur për të shërbyer në mbrojtje të sigurisë së qytetarëve. Duhet t’i mbrojmë ata që na mbrojnë dhe duhet të kujdesemi për ata që shërbejnë për sigurinë e qytetarëve. Kjo është ajo që bën një shtet i drejtë dhe normal. Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë, ndërsa drejtësia t’i bëjë shembull ata që godasin punonjësit e policisë. Policia i ka shërbyer dhe i shërben me devotshmëri atdheut dhe qytetarëve, përplaset çdo ditë me kriminelë e keqbërës. Policia ka derdhur gjak, në emër të misionit dhe betimit të saj. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit”, shkruan Balla në rrjetet sociale.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)