Protesta kombëtare e Partisë Demokratike është zhvendosur nga Kryeministria tek sheshi para Parlamentit të Shqipërisë, aty ku dhjetëra protestues por edhe deputetë të opozitës janë përplasur dhe shtyrë me efektivët e policisë që kanë krijuar kordonin e sigurisë.
Pas përplasjes fizike, molotovë dhe fishekzjarrë janë hedhur në drejtim të policisë, ku disa prej tyre u panë nën flakë. Edhe këtë herë ka ndërhyrë autoboti me ujë i policisë për të shpërndarë turmën.
Ndërkohë, mësohet se nga motlovi i hedhur në drejtim të Kryeministrisë ka mbetur i plagosur një efektiv policie. Për situatën e krijuar ka ardhur reagimi i parë nga ana e mazhorancës.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla duke e cilësuar tubimin si “protesta e bufit”, dënon ashpër sulmin ndaj punonjësve të policisë që janë stacionuar në terren për të ruajtur rendin dhe sigurinë.
“Dy fjalë për fundin e protestave të bufit, ku sulmohen punonjësit e policisë dhe institucionet. Ndoshta për të fshehur me tym e flakë dështimin e tyre. Gjithmonë do të ekzistojë liria për të protestuar në Shqipërinë tonë. Por sa kohë ligji e thotë qartësisht, nuk duhet të ekzistojë liria për të goditur apo keqtrajtuar ata që kanë zgjedhur për të shërbyer në mbrojtje të sigurisë së qytetarëve. Duhet t’i mbrojmë ata që na mbrojnë dhe duhet të kujdesemi për ata që shërbejnë për sigurinë e qytetarëve. Kjo është ajo që bën një shtet i drejtë dhe normal. Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë, ndërsa drejtësia t’i bëjë shembull ata që godasin punonjësit e policisë. Policia i ka shërbyer dhe i shërben me devotshmëri atdheut dhe qytetarëve, përplaset çdo ditë me kriminelë e keqbërës. Policia ka derdhur gjak, në emër të misionit dhe betimit të saj. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit”, shkruan Balla në rrjetet sociale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)