Policia pritet të blindojë sërish Tiranën duke nisur nga ora 17:00, ku para Kryeministrisë, do të nisë protesta e radhës e thirrur nga opozita. Autoritetet kanë vënë në zbatim një plan të zgjeruar masash, duke angazhuar rreth 1350 efektivë policie për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Nisur nga ajo që ndodhi në protestën e 24 janarit, e cila u shoqërua me dhunë, molotovë dhe përplasje me policinë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët amerikanë. Në njoftimin zyrtar thuhet se situata mund të përshkallëzohet shpejt dhe u bëhet thirrje qytetarëve të shmangin zonat përreth protestës, të qëndrojnë vigjilentë dhe të vendosin sigurinë personale në plan të parë.
Sipas policisë, për mbarëvajtjen e tubimit do të ketë kufizime të forta në qarkullimin rrugor. Që nga ora 23:45 e mbrëmjes së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe parkimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”. Ndërsa nga ora 15:00 deri në përfundim të protestës, do të ndalohet qarkullimi në të njëjtin bulevard, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia paralajmëron se, në varësi të zhvillimit të situatës, mund të ketë bllokime edhe në akse të tjera, ndërsa qarkullimi do të devijohet në rrugë alternative për të minimizuar kaosin urban.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)