Spiropali: Shqipëria e shqetësuar për pretencën e Hagës ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së

Ministrja e Jashtme Olta Spiropali shpreh shqetësim të thellë për pretencën ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, duke kërkuar drejtësi të paanshme dhe respekt për standardet ndërkombëtare.

09.02.2026. 18:23

Spiropali: Shqipëria e shqetësuar për pretencën e Hagës ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së

Ministrja e Jashtme, Olta Spiropali, ka reaguar sot për zhvillimet në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Prokuroria ka propozuar dënime të rënda, deri me 45 vite burg ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

“Po ndjekim me shqetësim të thellë kohëzgjatjen e paraburgimit, që tashmë ka kaluar pesë vite pa vendim përfundimtar” tha Spiropali. “Kjo situatë ushqen perceptimin e njëanshmërisë, sidomos kur krahasohet me mungesën e ndëshkimit për krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile të Kosovës.”

Ajo shtoi se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë “e paanshme, e balancuar dhe e mbështetur në prova të pakontestueshme”, duke respektuar dallimin midis përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit historik të luftës çlirimtare të UÇK-së.

“Drejtësia që perceptohet si e njëanshme mund të dëmtojë besimin publik dhe të lërë plagë të reja në një rajon që ka nevojë për pajtim të qëndrueshëm,” tha ministrja.

Spiropali theksoi gjithashtu se Shqipëria “do të vijojë ta ndjekë me vëmendje këtë proces dhe mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë ndërkombëtare, shtetit të së drejtës dhe dinjitetit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.”

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)