Partia Demokratike do të rikthehet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pasditen e së martës, në protestën kombëtare të radhës kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, ku kërkesa kryesore është shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme.
Pas kërkesës së paraqitur nga organizatorët e tubimit të PD-së, Policia e Tiranës ka njoftuar edhe masat e marra për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë në protestën që nis në orën 17:00.
Blutë e kryeqytetit sarojnë se do të ketë kufizime të qarkullimit dhe parkimit të automjeteve në disa akse kryesore rrugore të kryeqytetit. Konkretisht, nga ora 23:45 e ditës së sotme do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e njohur si “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”, deri në përfundim të tubimit.
Po ashtu nga ora 15:00 dhe deri në përfundim të protestës, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”. Po ashtu, do të ketë bllokime edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia bën me dije se, në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të mëtejshme edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimesh, qarkullimi do të devijohet në rrugë alternative, për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.
Policia e Tiranës u bën po ashtu thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në akset që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative. Gjithashtu, ajo apelon që qytetarët të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)