Rama lajmëroi ndryshime ligjore, Bardhi: Presion i hapur ndaj SPAK, po i blen kohë Ballukut

Presion të hapur ndaj SPAK dhe pushteti gjyqësor, e cilëson Gazment Bardhi paralajmërimin e bërë sot nga kryeministri Edi Rama për ndryshime ligjore, që do t'i jepnin zgjidhje çështjes 'Balluku', për të cilën socialistët nuk duket se do t'i hapin rrugë heqjes së imunitetit në të ardhmen e afërt.

09.02.2026. 14:23

Rama lajmëroi ndryshime ligjore, Bardhi: Presion i hapur ndaj SPAK, po i blen kohë Ballukut

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas paralajmërimit të bërë sot nga kryeministri Edi Rama për ndryshime ligjore, teksa socialistët në mbledhjen e grupit vendosën të mos e lëshojnë Belinda Ballukun në duart e SPAK.

Teksa kryeministri e cilësoi jo të ngutshme kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të saj edhe pse Gjykata Kushtetuese la në fuqi vendimin për e GJKKO për pezullimin nga detyra si zv/kryeministre e vendit, Bardhi përmes një postimi të stilit të ngjashëm në Facebook ka analizuar sipas tij ndërhyrjet e Ramës në këtë çështje.

Bardhi shprehet se ka sjellë edhe ai tre të vërteta për ndërhyrjen e shefit të qeverisë në një hetim aktiv, me qëllimin e vetëm sipas tij që të shpëtojë veten nga prangat.

Numri dy i PD e cilëson një kërcënim për drejtësinë dhe presion të hapur ndaj SPAK, këmbënguljen e Ramës për ndryshime ligjore, në një kohë kur pushteti rezulton i përfshirë në disa afera korruptive.

REAGIM I GAZMENT BARDHIT:

3 të vërteta për ndërhyrjen e Ramës në një hetim aktiv:

1. Kur një Kryeministër ndryshon ligjin ndërkohë që po hetohet bashkëpunëtorja e tij më e afërt, ai nuk po mbron ndonjë parim kushtetues apo ligjor. Po mbron pushtetin e vet të korruptuar. Rregullat nuk ndryshohen në mes të hetimit për të shpëtuar veten.

2. Kur Qeveria dhe Kuvendi bashkohen për të goditur vendimin e dy gjykatave në lidhje me një hetim penal aktiv, kemi dy pushtete që përpiqen të ndikojnë të tretin. Kjo nuk është ndarje pushtetesh. Është presion i organizuar kundër drejtësisë.

3. Kur thuhet se “nuk ka urgjencë” për kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut, mesazhi është i qartë: Drejtësia duhet të presë. Pushteti ka nevojë për blerje kohe.

Pezullimi nga ushtrimi i funksionit publik nuk është shpikje e SPAK-ut. Është i shkruar në Kodin e Procedurës Penale. Ai vlen për çdo funksionar publik.
Për ministër. Për zëvendëskryeministër. Për kryeministër.

Kur ekzistojnë kushtet ligjore, mund të pezullohet kushdo, sepse pezullimi nuk paralizon shtetin. Paralizon vetëm personin nën hetim për të shmangur ndikimin përmes funksionit.

Arresti kërkohet kur rrezikohet hetimi përmes intimidimit të dëshmitarëve apo cenimit të provave. SPAK ka sjellë prova se këto rreziqe janë konkrete në rastin e Belinda Ballukut. Pra, janë dy masa paralele. Njëra mbron procesin penal, tjetra mbron institucionin.

T’i ngatërrosh ato, siç bën Edi Rama, është deformim i së vërtetës me qëllim pengimin e drejtësisë.

Ligji është i qartë. Nuk ndryshohet sepse prek pushtetin.

Këshilli i Mandateve duhet të mblidhet pa justifikime, pa shtyrje artificiale, pa manovra politike. Kryetari e Kuvendit duhet të zgjedhë: ose në anën e ligjit, ose në anën e pengimit të drejtësisë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)