Menjëherë pas qëndrimit të kryeministrit Rama për Gjykatën Kushtetuese, ka ardhur reagimi i Sali Berishës. Sipas kryetarit të Partisë Demokratike, akuzoi se po kërcënohen Prokuroritë dhe Gjykatat, teksa thirrja në Bruksel është për tu bërë “avokat mbrojtës” i zv.kryeministres, Belinda Balluku.
“Sot Rama kërcënoi prokurorinë dhe gjykatën. U zotua se do të mbrojë deri në pikën e fundit veten dhe Ballukun. Sipas mediave, ai është thirrur në Bruksel. Ai shkon në Bruksel me fustanin e Lubi Ballukut. Në kuptimin që shkon si avokat i turpshëm i saj. Të gjitha i ka prej saj. Në Bruksel dhe mbarë kryeqytetet është kuptuar se çfarë përfaqëson, çfarë kalbësire përfaqëson Rama”, tha Berisha.
Kreu i PD-së nënvijëzoi për standardet e dyfishta në ndalimin e zyrtarëve të lartë, madje u shpreh se Rama është gati të japë Shqipërinë dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian, por jo krahun e tij të djathtë politik.
“Bënte thirrje të arrestohej lideri i opozitës, arrestonte kryetarin e partisë së dytë më madhe opozitare. Veprimet e drejtësisë së reformuar i quante suksese të mëdha, por tani u betohet shqiptarëve për kokën e Belindës, se Shqipërinë e jap, lubinë nuk e jap. Se, integrimin e jap, Lubinë nuk e jap. Sepse është vetja e tij. Dhe ajo ja ka bërë benë, se do ta marrë me vete”, shtoi ai.
Lideri i opozitës denoncoi se vendi ynë nuk plotëson asnjë kusht të integrimit në BE dhe se procesi rrezikon të kthehet në vitin 1992. “I është komunikuar se qëndrimi është i pa pajtueshëm me shtetin ligjor dhe standardet europiane dhe se do të zhbëjë procesin e integrimit, duke e kthyer në kushtet e vitit 1992. Rama po mbron veten e tij dhe po ndëshkon Shqipërinë. Shqipëria nuk plotëson asnjë kush të procesit të integrimit në BE. Sukseset e Shqipërisë me Edi Ramën janë mashtrime të mëdha. Garantoj partnerët tanë, BE, se Partia Demokratike ka objektivin e saj madhor integrimin, por asnjëherë me lobime mashtruese”, përfundoi Sali Berisha.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)